Papa Françesku priti sot pjesëmarrësit e Konferencës kundër trafikut të qenieve njerëzore të Grupit, që njihet si “i Shën Martës”. Konferenca u mbajt këto ditë në Vatikan, e kryesuar nga kardinali Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminsterit e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Anglisë dhe të Uellsit, si dhe nga Bernard Hogan–Howe, kreu i policisë metropolitane të Londrës. Grupi është një aleancë e krerëve të policisë dhe ipeshkvijve të mbarë botës, që veprojnë së bashku me shoqërinë civile, për të çrrënjosur trafikun e njerëzve dhe për t’u garantuar kujdesin baritor viktimave. Pëpiqet të zhvillojë edhe strategji parandalimi e riintegrimi. Quhet “Grupi i Shën Martës”, me emrin e selisë, ku u mblodh për herë të parë, në prill 2014. Më poshtë, fjala që u drejtoi pjesëmarrësve Papa:
“Të dashur vëllezër Ipeshkvij, Zotërinj e Zonja, me kënaqësi të madhe po ju takoj me rastin e kësaj konference, që flet për bashkëpunimin tuaj kundër trafikut të qenieve njerëzore e në mbështetje të viktimave. Falënderoj kardinalin Nichols për fjalët e tij e për angazhimin në shërbim të kësaj kauze, që përbën një nga sfidat më të mëdha të kohëve tona.
Grupi Shën Marta, që përfshin Autoritetet kishtare e civile, po jep një kontribut shumë të rëndësishëm për t’iu kundërvënë plagës shoqërore të trafikut të njerëzve, lidhur me format e reja të skllavërisë, viktimat e së cilës janë burra e gra, shpesh edhe të mitur, të shfrytëzuar, duke përfituar nga varfëria e tyre e nga lënia në dorë të fatit. Siç ju pata shkruar një vit më parë, me rastin e takimit tuaj në Escorial, çka na duhet, është angazhimi i përbashkët, faktik, i vazhdueshëm, si për të zhdukur shkaqet e këtij fenomeni të ndërlikuar, ashtu edhe për të takuar, për të ndihmuar e për të shoqëruar njerëzit, që bien në leqet e trafikut. Numri i këtyre viktimave – sipas organizatave ndërkombëtare – rritet, për fat të keq, çdo vit. Janë më të pambrojturit, njerëz të cilëve u rrëmbehet dinjiteti, integriteti fizik e deri edhe vetë jeta.
Të dashur miq, ju falënderoj e ju inkurajoj ta vijoni këtë angazhim. Zoti do të dijë t’ju shpërblejë për çka bëni në ndihmë të këtyre të vegjëlve të shoqërisë së sotme. Ai tha: “Kisha uri… kisha etje…” , e më ndihmuat. Sot mund të thotë edhe: “Isha i shpërdoruar, i shfrytëzuar, i skllavëruar e më erdhët në ndihmë!”. Vijoj t’ju shoqëroj me afërsinë time e me lutjen time. Edhe ju, ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë për mua!
All the contents on this site are copyrighted ©. |