2016-10-27 00:00:00

24. Dëshmitarët e fesë: Dom Pjetër Çuni. A thue e beson bota?


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot, në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Dom Pjetër Çunin. A thue e beson bota?  (Fundi i Meshtarit, simbas disa dëshmitarëve)

24. Dom Pjetër Çuni (Shkodër, 09. 07. 1914 - Koplik, 31.07. 1948) prift; vdiq i flakur në gropën e ujërave të zeza, në burgun e Koplikut.

Në të gjitha dëshmitë, Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni, kujtohen përherë së bashku, sepse së bashku pësuan të njëjtat mundime, gjetën të njëjtën vdekje, dhanë të njëtën dëshmi për Krishtin.

Në kujtimet Atë Gjergj Vatës, jezuit shqiptar, lexojmë: “Odiseja e vuejtjeve vazhdon. Dy meshtarë të tjerë, dy burra të butë si qingja të pafajshëm, dom Aleksandër Sirdani dhe dom Pjetër Çuni, u martirizuen në burgun e Koplikut. I dogjën me hell të kuqun, ua ropën lëkurën e mandej, ashtu gjysë gjallë-gjysë vdekun, i hodhën në gropën e ujnavet të zeza.”

Françeskani Atë Konrad Gjolaj shton: “Mizorët, mbasi i kishin hedhë gjallë në gropë, i pvetshin: ‘Flisni, hë, ku është Krishti, që s’po ju ndihmon?’. Vdekja e tyne heroike asht ndër ma të shëmtuemet e kryeme prej komunistave të shekullit XX. Athue e beson bota këtë?  Kam frigë se jo. E pra edhe kjo ka ndodhë, në një komb, ku njerëzit duhet të ishin vëllazën, jo bisha”.

Atë Anton Luli kujton: “Dom Pjetër Çuni e Dom Alesandri nuk u tundën deri në çastin e fundit. Mbasi i kishin flakue në gropë të ujnave të zeza, vrasësit provuen, për herë të fundit, ta lëkundshin fenë e tyne. U propozuen: ‘Pohoni se Zoti nuk ekziston,  e do ta fitoni menjëherë lirinë!’. Forca e jashtzakonshme, që nuk pritej prej atyne trupave të martirizuem, i habiti komunistat. E ndërsa ata flitshin, shokët e mjerimit, pështetë në dritaret e burgut e ndiqshin ngjarjen e tmerrshme e, në kundërshtim të plotë me synimet e kriminelave, merrshin zemër. Ata u përgjegjën se dëshirojshin ma mirë me dekë e me fluturue të lirë atje nalt, sesa me jetue si tradhtarë, këtu poshtë. ‘Nuk mund ta mohojmë Zotin, vëllazën. Zoti ekziston. Zoti ekziston! Na besojmë!’- ishin fjalët e tyne të fundit”.

Tue i ndigjue këto fjalë, një roje i shtyu me cfurk, derisa krenat e tyne u zhdukën në ujnat e zeza. Dikush pati mëshirë e u hodhi sipër një grusht me dhe. Ndërsa komunistat nisën vallen rreth gropës së zezë. Mandej i detyruen të burgosunt e tjerë me i krye nevojat mbi trupat e tyne. Derisa një natë i hodhën në përrue, ku u hupën edhe eshtënt”.

Në veprën “Rrno vetëm për me tregue”, të Atë Zef Pllumit, gjejmë dëshminë e Atë Bonë Gjeçajt për fundin e dy meshtarëve. Frati plak ia la trashigim diakonit të atëhershëm françeskan, Zefit, me shpresë se ai do të jetonte e do të tregonte...

Ishte 75 vjeç Atë Bona, kur e arrestuan dhe e burgosën në Koplik duke e akuzuar se kishte  themeluar demokristianen. Njeri shumë i thjeshtë e i pahile, Atë Bona u përgjigj se çdo meshtar katolik ishte natyrisht demokristian. Këtë përgjigje komunistët e morën si pohim të krimit dhe e torturuan mizorisht. Së fundi, një ditë e nxorën nga qelia dhe e lidhën tek një pemë në oborrin e nevojtores provizore të burgut. Përpara syve të tij u zhvillua një nga skenat më tragjike të martirizimit, tejet e panjohur në martiriologun e Kishës universale, ku regjistrohen torturat më të  sofistikuara që ka mundur të shpikë truri i sëmurë i njerëzimit. Fill pas Patër Bonës plak, nxorën nga qelitë dy meshtarët e rinj: Dom Pjetrin e Dom Aleksandrin dhe i shtynë egërsisht në gropen e ujërave të zeza. E kur ujërat e qelbura i gëlltisnin dalë–nga–dalë, ”shokët” e sigurimit komunist shqiptar i godisnin me shkelma e me shkopinj. Atë Bonë Gjeçaj pësoi krizë të rëndë nervore. U çmend! E mori veten pas shumë kohe, në burgun e Shkodrës, aq sa të ishte në gjendje për t’i lënë trashëgim Atë Zef Pllumit këtë dëshmi gati të pabesueshme: të llahtarshme e të ndritur”. 

Duke kujtuar këto dëshmi, nuk mund të mos pyesim: ku shkuan ata njerëz, që e bënë gjithë këtë shëmtim? Nuk ua kemi dëgjuar më emrin! Ndërsa miqtë e dashamirët e Martirëve vijojnë t’i bëjnë vetes pyetjen: “Pse i mbytën kështu, vallë. Vranë shumë meshtarë, po vdekja e tyne asht ma e shëmtuemja, mbas dekës së Krishtit”.

Dom Pjetër Çuni, me studime të kryera në Seminarin Papnor, në Shkodër e në Kolegjin e Propaganda Fide, në Romë, famullitar në Shkrel, Rrjoll, Reç e Lohe, u burgos më 27. 07.1948 në Koplik, ku i përfundoi ditët jetës më 31. 07. 1948, me vdekjen, për të cilën sapo folën dëshmitarët.

Dëshmitë e para janë marrë nga libri i Regjina Lulashit“Dy vëllezër dëshmorë”(Due fratelli martiri, 2007), Grafiche Panico Galatine (Lecce), fq 70-71; e treta, është ritregim i dëshmisë së Atë Zef Pllumit.








All the contents on this site are copyrighted ©.