2016-10-25 15:03:00

Vatikani: hiri i të vdekurve të mos mbahet në shtëpi


Kremacioni apo djegja e kufomës nuk është në vetvete mohim i fesë së krishterë, por duhet preferuar varrosja. Kjo është këshilla e Udhëzimit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, me titull “Ad resurgendum cum Christo” (Të ringjallemi me Krishtin), që u paraqit sot në Vatikan.

“Praktika e djegjes apo kremacionit – lexohet në dokumentin e Vatikanit – është përhapur mjaft në jo pak vende, por bashkë me të janë përhapur edhe ide të reja në kundërshtim me fenë e Kishës. Pasi konsultoi Kongregatën për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Këshillin Papnor për tekstet legjislative dhe Konferencat e shumta ipeshkvnore e Sinodin e ipeshkvijve të Kishave Lindore, Kongregata për Doktrinën e Fesë e quajti të arsyeshme publikimin e një Udhëzuesi të ri, me qëllim që të ritheksojë arsyet doktrinore dhe baritore për të preferuar varrosjen e trupave dhe të vendosë norma përsa i përket ruajtjes së hirit në rastin e kremacionit”.

Duke ndjekur traditën e lashtë të krishterë, “Kisha rekomandon me këmbëngulje që trupat e të vdekurve të varrosen në varreza, ose në vende të tjera të shenjta. Në kujtim të vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Zotit, mister, në dritën e të cilit u bë i dukshëm kuptimi i krishterë i vdekjes, varrimi – nënvizohet në dokument – është para së gjithash, forma më e përshtatshme për të shprehur fenë dhe shpresën në ringjalljen e trupit”.

Ndërkaq, siç sqaroi prefekti i Kongregatës, kardinali Gerhard Muller, “të vdekurit nuk janë pronë private e të afërmve”. Prandaj, “në rast se, për arsye të ligjshme, digjet kufoma, hiri i të vdekurit duhet ruajtur, normalisht, në një vend të shenjtë, pra, në varrezë, ose në kishë”. “Ruajtja e hirit në shtëpi nuk lejohet – vijoi kardinali, në konferencën për shtyp. Vetëm në rrethana të rënda dhe të jashtëzakonshme, ipeshkvi, në marrëveshje me Konferencën Ipeshkvnore, ose me Sinodin e Ipeshkvijve, mund të japë leje për ruajtjen e hirit në shtëpi. Për të shmangur çdo lloj ekuivoku panteist, natyralist apo nihilist, nuk lejohet përhapja e hirit në ajër, në tokë apo në ujë apo në ndonjë mënyrë tjetër, ose shndërrimi i hirit në objekte përkujtimore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.