2016-10-24 13:57:00

Papa: njerëzit e rreptë duken të mirë, por nuk e njohin lirinë e bijve të Zotit


Pas rreptësisë fshihet gjithnjë diçka, një jetë e dyfishtë. Njerëzit e sertë nuk janë të lirë, janë skllevër të ligjit. Ndërsa Zoti dhuron lirinë, butësinë, mirësinë: këtë theksoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Në Ungjillin e ditës, Jezusi shëron një grua të shtunën, duke shkaktuar zemërimin e kreut të Sinagogës sepse - tha - qe shkelur Ligji i Zotit. Nuk është e lehtë - komentoi Papa - të ecësh në Ligjin e Zotit, është garanci, që duhet ta kërkojmë. Jezusi e akuzon, e quan hipokrit, fjalë të cilën ua përsërit shumë herë njerëzve të rreptë, atyre që sillen ashpërsisht në zbatimin e Ligjit, që nuk e kanë lirinë e bijve; këta njerëz janë skllevër të Ligjit. Ndërsa Ligji – vërejti në vijim Papa - nuk u bë për të na shndërruar në skllevër, por në njerëz të lirë, në bij. Pas rreptësisë fshihet ndonjë gjë tjetër, gjithnjë! Prandaj Jezusi u thotë hipokritë:

“Pas rreptësisë është diçka e panjohur në jetën e njeriut. Rreptësia nuk është dhuratë e Zotit. Butësia, po. Dashamirësia, po. Falja, po. Ndërsa ashpërsia, jo! Pas saj fshihet përherë një jetë e dyfishtë; por ndoshta edhe ndonjë sëmundje. Sa vuajnë njerëzit e rreptë! Kur janë të sinqertë e kujtohen për këtë, vuajnë! Sepse nuk mund ta kenë lirinë e bijve të Zotit, nuk e dinë si ecet në Ligjin e Zotit e nuk janë të lum. E vuajnë shumë!”.

Duken të mirë, sepse ndjekin Ligjin; po në shpirt kanë diçka, që i pengon të  jenë vërtet të mirë: atëherë o janë të këqij, o hipokritë. E vuajnë!

Papa Françesku kujtoi shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, në të cilën djali i madh, që ishte sjellë gjithnjë mirë, zemërohet me t’anë, sepse e pret gjithë gëzim djalin e vogël. Atë, që u shthur, por pastaj u rikthye në shtëpi i penduar. Kjo sjellje - shpjegoi Papa - na bën të shikojmë çka fshihet pas  maskës së mirësisë: “Krenaria e njeriut, që beson se është i drejtë”:

“Pas kësaj sjelljeje të mirë, fshihet mendjemadhësia. Ai tjetri e dinte se kishte një atë e, në çastin më të errët, rendi tek i ati;  ndërsa ky nuk e kishte ndjerë kurrë si atë. Ishte njeri i rreptë: ecte në Ligj me rreptësi. Tjetri e la mënjanë Ligjin, iku e shkoi pa Ligj, kundër Ligjit, por në një shenjë vendi mendoi për të atin e u kthye. E gjeti atë, që priste: faljen. Nuk është aspak e lehtë të ecësh në Ligjin e Zotit, pa rënë në sjellje të sertë”.

Papa e përfundoi homelinë me këtë lutje:

“Ta lusim Zotin, të lutemi për vëllezërit tanë e motrat tona, që besojnë se të ecësh në Ligjin e Zotit do të thotë të jenë të rreptë. Zoti i bëftë ta ndjejnë se Ai është Atë e se Atij i pëlqen mëshira, dhembshuria, mirësia, butësia, përvujtëria. E të gjithë na mësoftë të ecim në Ligjin e Zotit me këto sjellje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.