2016-10-24 16:53:00

Atë Spadaro: takimi jezuitëve me Papën spontan dhe i përzemërt


Vizita që Papa Françesku bëri sot paradite në mbledhjen e përgjithshme të jezuitëve është “një ngjarje historike”: kështu shkruan në blog-un e organizmit të Jezuitëve atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës Civiltà Cattolica. “Ky qe një takim i Kongregatës së Përgjithshme të Jezuitëve me Papën Françesku. I pari që e kuptoi domethënien e peshën e kësaj ngjarjeje historike ishte pikërisht Ati i përgjithshëm, Arturo Sosa, i cili u pati kërkuar jezuitëve të përgatiteshin shpirtërisht për këtë takim. Nuk kishte ndodhur kurrë që një Papë jezuit të fliste në një mbledhje të përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit. Fjalimi i tij për Jezuitët ka një domethënie e një vlerë vërtet të fortë, të veçantë. Mirëpo, akoma  më parë, e përtej fjalimit të tij, është vetë prania e Papës ajo, që ka një vlerë jashtëzakonisht kuptimplote, edhe për mënyrën e pazakontë:  audiencë në vetë Sallën e Kongregacionit, takim që zgjati për orë të tëra, i lirë e spontan, në një atmosferë të përzemërt e të hapur, siç nuk ndodhte prej kohësh”.

“Shoqëria e Jezusit po fiton gjithnjë më shumë vetëdijen se misioni papnor sot ushtrohet nga një person, që u formua në prehërin e saj dhe sipas përshpirtërisë së saj, përshpirtërisë së shqyrtimit, të shoshitjes. Prej këndej, shumë tipare të papnisë aktuale mund të  kuptohen deri në rrënjë, vetëm duke e pasur parasysh përshpirtërinë në të cilën Papa u rrit e u formua në aspektin njerëzor e shpirtëror”.

“Sjellja njerëzore më e afërt me hirin e Zotit është humorizmi”. Kështu u shpreh Papa duke folur lirisht në takimin me Jezuitët, gjithnjë sipas atë Spadaros. 








All the contents on this site are copyrighted ©.