2016-10-24 12:26:00

21. Dëshmitarët e fesë: Dom Mikel Beltoja. E shkyen katërsh, pse mbeti një nëpër ndryshime!


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën Dom Mikel Beltojës. E shkyen katërsh, pse mbeti një nëpër ndryshime!

21. Dom Mikel Beltoja (Beltojë, 09.05. 1935- 10. 02. 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, u dënua me një nga vdekjet më të tmerrshme.

Kemi kujtuar, duke ecur në udhën e Kreshmëve 2014 pas martirëve, ardhur nga prova e madhe, një mori faktesh, historish, situatash, arrestimesh, akuzash, qëndrimesh, dënimesh, torturash, ushtruar mbi klerin katolik e, më në përgjithësi, mbi gjithë shqiptarët vullnetmirë, që patën guximin njerëzor t’i kundërvihen diktaturës komuniste, me bindjen se ajo nuk mund të ishte e përjetshme. Do të shembej një ditë. Njerëz, që shkruan me gjak, para syve të popullit, trullosur nga propaganda e kuqe, faqet e arta të librit të historisë së vërtetë të këtyre viteve. Që të mos guxonte më kush t’i falsifikonte! A t’i zhdukte në harresë.

Në këtë libër është shkruar edhe jeta e fundi i Dom Mikel Beltojës, Meshtar i shuguruar nën diktaturë, Natën e Krishtlindjes 1961, me studime filozofike e teologjike kryer në shkollën e Imzot Ernest Çobës, kthyer në ‘universitet’ të Kishës së heshtimit. Që atë natë, u ndoq hap pas hapi, në sa kryente misionin e tij të shkurtër meshtarak, kryesisht në Beltojë. Një ditë i hynë në qelë. Kontrolluan vrimë e skutë. Morën gjithçka gjetën: petkat e Meshës, librat liturgjikë, objektet e shërbimit meshtarak. Si të ishin n’e ve’në, siç thotë populli në këso rastesh. Morën gjithçka mundën. E edhe atë vetë. Ia vunë prangat më 19 prill 1973, para Kishës së Beltojës, kthyer në qendër kulture, e para besimtarëve të tij, të tmerruar.  Pasi e shtynë dhe e pështynë. Akuza: “Ka thënë se dashuria e Zotit është e amshuar, drejtësia e njerëzve, e përkohshme. Se besimtarët, bashkë me bukën e përditshme, duhet t’i ushqejnë fëmijët edhe me virtytet e krishtera. Se atdheun mund ta forcojnë e ta ndriçojnë, vetëm njerëzit e virtytshëm. Se kush do Zotin, do edhe Kombin”.

Pas gjashtë muajsh e nxorën në gjyq, ku iu kundërvu me aq forcë diktatorit e bashkëpunëtorëve të tij të ndërgjegjshëm, sa për të ruajtën një nga torturat më të tmerrshme. Populli e përmbledh në një frazeologji që sot, fatmirësisht, vijon të përdoret  vetëm si shprehje figurative: e shkyen katërsh! Jo figurativisht.

Kjo torturë vinte në skenën e Shqipërisë diktatoriale nga Hungaria e shekullit XIII, prej nga u përhap në mbarë Evropën. Varianti i plotë ishte më mizori, që u ushtrua ndonjë herë mbi njeriun. Më i tmerrshëm se therja e kafshëve, të cilat kasapi i copëton vetëm pasi të jenë mbytur.

Po njeriu çohej i gjallë në vendin e ekzekutimit, në një shesh publik. Zhvishej  e i lidheshnin duart pas shpine. Varej, por jo aq, sa të vdiste. I priteshin organet gjenitale, e pastaj edhe organet e tjera, jo jetësore. Çka pritej, digjej para syve të të dënuarit ose u hidhej qenve. I pritej koka. Shkyhej katërsh. Secila nga të katër pjesët, varej në të katër anët e qytetit. Koka ekspozohej në kullën më të lartë. Kështu ekzekutoheshin  në Evropë, ata që kryenin krimet më të rënda për kohën: tradhti, rebelim, fyerje kundër mbretit. Kur lindi anglikanizmi, dënoheshin kështu edhe katolikët e rebeluar kundër fesë së re. Natyrisht, të dënuarit ishin njerëz të popullit. Fisnikëve u pritej koka e gratë digjeshin mbi turrë të druve. Kjo metodë vijoi deri  në vitin 1792, kur Franca shpiku gijotinën. Po shqiptarët, ‘mbrapa botës në gjithçka’, vijuan ta përdorin edhe në shekullin XX.

Natyrisht xhelatët e Dom Mikelit nuk i respektuan të gjitha fazat. Në  veprën “Martirët e Kishës Katolike në Shqipëri”, në fund të jetëshkrimit të tij  të shkurtër, hartuar nga dëshmitarë pamorë, lexojmë: “ ... Xhelatët e tërhoqën prej gjymtyrësh. Trupin e shkyen katërsh. E hoqën pastaj zvarrë e, për së vdekuri, e pushkatuan” 1. Duhet të ishin katër, ata që e ngrehën, deri në coptim. Në historinë klasike të torturave, këtë punë e kryejnë kuajtë, ose kasapët me varcak në dorë!

Natyrisht nuk guxuan t’i varnin gjymtyrët në të katër skajet e Qytetit të Veriut, të martirizuar, të fyer, të marrë nëpër këmbë, të shkyer katërsh, më keq se martirët, e as t’ia ekspozonin kokën në ndonjërin nga pirgjet e Kështjellës Rozafa. E dinin se kështu do t’i shtonin një faltore të re, katedrales së nëndheshme mesianike...

Nuk ishte koha e mesjetës, që komunistat e përshkruajnë si kohë terrinash të dendura e krimesh të shëmtuara. Ishte viti 1974, data 10 shkurt,  vjet më parë...

1“Martirët e Kishës Katolike në Shqipëri”, Shkodër, 1993, fq 193








All the contents on this site are copyrighted ©.