2016-10-23 15:57:00

Papa: mbi lumin e urrejtjes në botë, fiton oqeani i mëshirës së Zotit


“Jetojmë në kohë të vështira”, kohë të luftës botërore vende-vende. Por lumi vërshues i urretjes dhe i dhunës nuk mund të bëjë asgjë kundër oqeanit të mëshirës, që e përmbyt botën tonë”. Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e librit “Mos ki frikë të falësh”, shkruar nga  atë Luis Dri, rregulltar, rrëfyes në Buenos Ajres e mik i ngushtë i Bergoglios, kur ishte ipeshkëv në kryeqytetin e Argjentinës. Vëllimi, realizuar me ndihmën e Andrea Tornielli-t dhe Alver Metalli-t, u botua nga RaiEri e do të jetë në librari më 25 tetor.

Ati i Shenjtë kujton, në parathënie, orët e gjata kaluar nga atë Luis në rrëfyestore, në Buenos Ajres, gjestin e puthjes së dorës pendestarëve, shqetësimin se mos kishte falur në tepri. E rrëfyesin që, përballë të Shenjtnueshmit Sakrament, lypte ai vetë falje, sepse kishte falur shumë e, ashtu si Leopoldi Mandič, i lutej Zotit të kishte mëshirë për të, ngaqë në këtë mënyrë kishte dhënë “shembull të keq”.

Sjellje, sot më e nevojshme se kurrë - shkruan Papa - sepse pendestarin  - si atë që është i zakonshëm, ashtu edhe atë, që shtyhet nga ndonjë rrethanë e jashtëzakonshme, që hyn në rrëfyestore “rastësisht” (po në planet e Zotit s’ka asgjë të rastit, shpjegon Françesku) ose si pasojë e etapës përfundimtare të një udhe të vështirë - duhet ta presë menjëherë përqafimi mëshirëplotë i Zotit tonë. “Një Zoti, që na paraprin, na pret, na pranon”.

E nuk është aspak e rastit - vijon Papa - që në rrëfyestoren e Atë Luis gjindet një riprodhim i pikturës së Rembrandit. Paraqet përqafimin  e Atit me djalin plangprishës, të cilin e shtrëngojnë dy duar të ndryshme, njëra më mashkullore, tjetra më femërore. Mëshira, vijon Papa, është dashuri thellësisht amtare, që preket nga brishtësia e krijesës së vet dhe e merr ngrykë, ashtu si dhe besnikëri e fuqishme atërore, që fal gjithnjë e i vë vazhdimisht përudhë bijtë e vet, të ngatërruar në shtigjet shpesh dredharake, të jetës.

Ripohon Papa se në “luftën botërore, që sot shpërthen vende-vende, çdo shenjë miqësie, çdo pengesë e sheshuar, çdo dorë e shtrirë, çdo pajtim, edhe pse nuk përbën lajm, është e paracaktuar të veprojë në indin shoqëror, nga familja - tek marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Lumit të urrejtjes i kundërvihet një oqean mëshire, në të cilin mund të zhytemi, për të dalë të rilindur!








All the contents on this site are copyrighted ©.