2016-10-22 16:51:00

Selia e Shenjtë dhe Vietnami: nga 24 deri më 28 tetor, takim në Vatikan


Do të mbahet në Vatikan, nga 24 deri më 26 tetor, sipas marrëveshjes, takimi i Grupit të Punës së Selisë së Shenjtë, me atë të Republikës Socialiste të Vietnamit, me qëllim që të zhvillohen dhe të thellohen më tej marrëdhëniet ndërmjet dy palëve. Njoftimin e jep një komunikatë  e Sallës vatikanase të Shtypit. Delegacioni i Selisë Apostolike do të kryesohet  nga imzot Antoine Camilleri, zëvendës-sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, ndërsa delegacioni vietnamez, nga zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme, Bui Thanh Son.

Takimi i fundit dypalësh u mbajt në Hanoi, në shtator 2014. Në një komunikatë të përbashkët, Selia e Shenjtë e pati vlerësuar shumë mbështetjen e dhënë në të gjitha nivelet nga autoritetet kompetente, Kishës Katolike në Vietnam, për kryerjen e misionit të saj, duke  marrë edhe njoftime për zhvillimet në politikat fetare në vend, të pasqyruara në Kushtetutën e modifikuar më 2013.  Delegacioni i Selisë së Shenjtë  pati konfirmuar se i jepte shumë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me Vietnamin në veçanti, e me Azinë, në përgjithësi.

Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve pati shkuar, në janar 2015, për vizitë baritore në Vietnam, me rastin e 400-vjetorit të ungjillëzimit të vendit. Prelati u takua, asokohe, me të gjitha realitetet e Kishës vendase, që përfaqëson 10% të popullsisë. “Kishë gjithë gjallëri” pati thënë. Hirësia e Tij mundi të takohej edhe me  autoritetet vietnameze. Në një intervistë dhënë Radio Vatikanit pati theksuar: “Pohova se dialogu është elementi themelor për mirëkuptimin reciprok, por në bazë të dialogut duhet të jetë respekti. E respekti që Selia e Shenjtë ka për Vietnamin, shprehet edhe përmes dashurisë. Prej këndej, nuk është aspekt formal respekti, por element që zbret në thellësi e bëhet dhembshuri, dashuri. Kisha ka dhembshuri të madhe, dashuri të madhe për popullin vietnamez, posaçërisht për bashkësitë e tij të krishtera. Prej këndej, m’u duk se preka elementet pozitive, që e fuqizojnë këtë dialog, i cili është prej kohe e ne shpresojmë se do të mund të përparojë edhe më tej.

E, duke folur për Kishën, kardinali Filoni, në intervistën dhënë Radio Vatikanit,  pati shtuar: “Kishë plot gjallëri. Takova, këtu, në Hanoi, e pastaj edhe në një nga  famullitë e dioqezës së Hung Hoa, një Kishë jashtëzakonisht të bukur, plot gjallëri, shumë të përzemërt, tepër entuziaste. Në praninë time kjo famulli pagëzoi 200 të krishterë. Të rritur e fëmijë. Nëna e baballarë. Shumica malësorë, që jetojnë në kufi me Laosin e Kinën. Kremtim prekës. Pas Pagëzimit, të krishterët e rinj morën edhe Krezmimin e Kungimin. E pastaj, një festë e madhe, gazmore, me pjesëmarrjen e gjithë bashkësisë, për këta vëllezër të rinj, që i shtohen Kishës vendase. Nuk gjej fjalë për ta përshkruar bukurinë e këtij kremtimi, gjallërinë e kësaj Kishe e gatishmërinë për ta çuar përpara, me Papën Françesku, angazhimin misionar.

E ajo, që ka më shumë rëndësi, mendoj se kjo vizitë është një hap përpara në marrëdhëniet ndërmjet Vietnamit e Selisë së Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.