2016-10-22 00:00:00

Audienca jubilare e së shtunës


Këtë fundjave, nga 21 deri më 23 tetor, u kremtua Jubileu i Koreve dhe animatorëve liturgjikë, drejtuesve të koreve, muzikantëve, koristëve, organistëve, shkollave të muzikës kishtare, kapelave muzikore, koreve dioqezane e famullitare, bandave muzikore në shërbim të liturgjisë e të përshpirtërisë popullore si dhe familjarëve të tyre që kishin dëshirë të merrnin pjesë.

Papa, duke u takuar me muzikantët dje, në Sheshin e Shën Pjetrit, u ndalua posaçërisht tek vlera e dialogut, duke u bazuar kryesisht tek fragmenti i Ungjillit të Shën Gjonit, (krh 4,6-15), që flet për takimin e Jezusit me një grua samaritane. E pa si aspekt të mëshirës dialogun, Papa. Duke kujtuar se dialogu u krijon njerëzve mundësinë të njihen e t’i kuptojnë kërkesat e njëri-tjetrit, se është shenjë e respektit të madh dhe shprehje e mëshirës.  

Dialogu i vërtetë ka nevojë për çaste bisede, por edhe për çaste heshtjeje, në të cilat mund të marrim dhuratën e paçmueshme të pranisë së Zotit në vëllezërit. Dialogu – vijoi Papa - i ndihmon njerëzit t’i humanizojnë marrëdhëniet e t’i kapërcejnë keqkuptimet. Ndjehet fort nevoja e dialogut në familjet tona! E sa më lehtë do të zgjidheshin problemet, nëse do të mësoheshim ta dëgjonim me vëmendje njëri-tjetrin – nënvizoi.

Edhe Kisha dialogon gjithnjë me burrat e gratë e të gjitha kohëve, për të kuptuar cilat janë nevojat që ka në zemër çdo njeri e për të dhënë ndihmesën në realizimin e së mirës së përbashkët dhe mbrojtjen e  shtëpisë së përbashkët. E të mendojmë për dialogun ndërmjet feve, për të zbuluar të vërtetën më të thellë të misionit të tyre mes njerëzve dhe për të kontribuar në sigurimin e paqes e të një rrjeti respekti e vëllazërie. Të gjitha format e dialogut janë shprehje e kërkimit të dashurisë së Zotit, që i kërkon të  gjithë e vë në secilin një farë të mirësisë së vet, që të mund të bashkëpunojë në veprën e tij krijuese. Dialogu shemb muret e ndarjeve e të keqkuptimeve, krijon ura komunikimi e nuk  lejon që askush të izolohet, të mbyllet në botën e vet të vogël.

Jezusi e dinte mirëfilli çka kishte në zemër samaritania: e megjithatë, nuk ia mohoi dëshirën për t’u shprehur e, pak nga pak, hyri në misterin e jetës së saj. Ky mësim vlen edhe për ne. Përmes dialogut mund të ndihmojmë në rritjen e shenjave të mëshirës së Zotit e t’i bëjmë mjet të mikpritjes  e të respektit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.