2016-10-21 14:06:00

Papa: të krishterët t’i refuzojnë luftërat, të punohet për unitetin e Kishës


Përvujtëri, ëmbëlsi, shpirtmadhësi. Në Meshën e mëngjesit Papa Françesku tregoi tri pikat kyçe për ndërtimin e unitetit të Kishës. Edhe një herë pra, i nxiti të krishterët t’i refuzojnë zilinë, smirën, luftërat.

“Paqja me ju!”. Papa e shtjelloi homelinë duke nënvizuar se përshëndetja e Zotit krijon lidhje, lidhje paqeje. Kjo përshëndetje - shtoi - na bashkon për të bërë unitetin e shpirtit. Nëse nuk ka paqe - vërejti - nëse nuk jemi të aftë ta përshëndesim njëri-tjetrin në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, ta kemi zemrën të hapur e shpirtin në paqe, nuk do të ketë kurrë unitet.

Shpirti i së keqes mbjell luftëra; të krishterët duhet t’u shmangen

E kjo - saktësoi Françesku - vlen edhe për unitetin në botë, unitetin në qytete, në lagje, në  familje:

“Shpirti i së keqes mbjell luftëra, gjithnjë! Zili, smirë, ndeshje, përgojime… janë gjëra që e rrënojnë paqen e, prej këndej, edhe unitetin. E si duhet të sillet i krishteri për ta gjetur këtë unitet? Pali e thotë qartë: ‘Silluni në mënyrë të denjë, me përvujtëri, ëmbëlsi e shpirtmadhësi’. Këto, tri mënyrat e sjelljes”.

Përvujtëria: nuk mund të ketë paqe, pa pëvujtëri. Ku ka fodullëk, ka gjithnjë edhe luftë, gjithnjë dëshirë për ta nënshtruar tjetrin, për të besuar se je ti i pari. Pa përvujtëri  nuk mund të ketë paqe e, pa paqe, nuk ka unitet.

Të rizbulohet ëmbëlsia, për ta duruar njëri-tjetrin

Në vijim Papa vërejti, me dhimbje, se tashmë e kemi harruar aftësinë e të folurit ëmbëlsisht, dimë vetëm të çirremi. Ose t’i mbulojmë me thashetheme të tjerët… nuk ka ëmbëlsi. E ëmbëlsia ka një bërthamë, që është aftësia për ta duruar njëri-tjetrin. Durojeni njëri-tjetrin! - na kujton Shën Pali. - Duhet pasur duresë - rikujtoi Papa - duhen duruar të metat e të tjerëve, gjërat që nuk na pëlqejnë:

“E para, përvujtëria; e dyta, ëmbëlsia, me durimin e anasjelltë… e treta, shpirtmadhësia: zemra e madhe, zemra e gjerë, që i zë të gjithë, që nuk  merret me vogëlsira, nuk pëshpërit se ky tha këtë…  se ai dëgjoi atë… jo! Zgjeroje zemrën. Zemra ka vend për të gjithë! E kjo krijon lidhjen e paqes, kjo është mënyra e denjë e sjelljes, të bësh lidhje paqeje, që krijon unitet. E krijues i unitetit është Shpirti Shenjt, që e favorizon, e përgatit krijimin e unitetit”.

Të ndihmojmë për ta ndërtuar unitetin me lidhjen e paqes.

Kjo - vijoi Françesku - është mënyra e denjë e thirrjes në misterin, për të cilin jemi grishur, misterin e Kishës. Papa i ftoi, kështu, të gjithë, të rilexojnë kapitullin XIII të Letrës drejtuar Korintianëve, që na mëson si t’ia krijojmë hapësirën e nevojshme Shpirtit Shenjt e si duhet të sillemi, që Ai të mund të bëjë unitetin:

“Misteri i Kishës është Mister i Korpit të Krishtit; ‘Një fe e vetme, një Pagëzim i vetëm; një Zot Atë i vetëm i të gjithëve, që është mbi të gjithë, vepron përmes të gjithëve dhe është i pranishëm në të gjithë: ky është uniteti, që Jezusi i kërkoi Atit për ne e që ne duhet ta ndihmojmë ta bëjë këtë unitet, me lidhjen e paqes. E lidhja e paqes rritet me përvujtëri, me ëmbëlsi, me aftësinë për ta mbartur njëri-tjetrin e me shpirtmadhësi”.
Të lutemi që Shpirti Shenjt - përfundoi Papa – të na japë hirin jo vetëm ta kuptojmë, por edhe ta jetojmë këtë mister të Kishës, që është mister i unitetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.