2016-10-21 14:12:00

Papa fondacionit Gjon Pali II: formimi i rinisë është një investim për të ardhmen


Papa Françesku sot paradite në Sallën e Konçistorit, në Vatikan, priti në audiencë rreth 250 anëtarë të Fondacionit Gjon Pali II. Takimi u mbajt me rastin e 35-vjetorit të aktivitetit të këtij organizmi, që ka si synim mbështetjen e nismave me karakter edukativ, kulturor, fetar e bamirës frymëzuar nga figura e shën Gjon Palit II, përkujtimi liturgjik i të cilit kremtohet nesër më 22 tetor.

Në kohën e bilancit të punës së zhvilluar nga Fondacioni e, njëkohësisht, të programimit të punës për të ardhmen, me pikësynime të reja, fjalët e Papës Françesku para së gjithash janë një inkurajim: organizmi vepron tashmë në kombe të ndryshme, sidomos në Evropën lindore, e janë të shumtë studentët që janë ndihmuar për t’i çuar përpara dhe kompletuar studimet e tyre.

Ju inkurajoj të vazhdoni në impenjimin tuaj të promovimit e të mbështetjes në favor të brezave të ri, duke i ndihmuar në përballjen e sfidave të jetës, gjithnjë të frymëzuar nga ndjeshmëria ungjillore e shpirti i fesë. Formimi i rinisë është investim për të ardhmen: prandaj të rinjve të mos u vidhet shpresa e së nesërmes!”

Papa Françesku kujtoi se si Viti jubilar që po i afrohet përfundimit, ka nxit reflektimin mbi madhështinë e Mëshirës së Zotit, në një kohë kur, pohon, njeriu anon të ndjehet i vetëmjaftueshëm, si të ishte emancipuar nga çdo autoritet i lartë, duke besuar se gjithçka varët nga vetë ai.

Si të krishterë, përkundrazi, jemi të ndërgjegjshëm se gjithçka është dhuratë e Zotit dhe pasuria e vërtetë nuk është dinari, i cili madje mund të na bëjë skllevër, por dashuria e Zotit, e cila na  bënë të lirë.”

Mendimi i Papës Bergoglio shkoi pastaj në udhëtimin e tij në Poloni, korrikun e kaluar, për Ditën Botërore të Rinisë. Toka polake, tha, ka pasur dy bij të mëdhenj në shën Faustinën Kowalska e në shën Gjon Palin II, të dy apostuj të Mëshirës Hyjnore e uroj që shembulli i tyre të mund ta frymëzojë impenjimin bujar të Fondacionit. Pastaj citoi një fragment të Enciklikës ‘Dives in misericordia’ ku Gjon Pali II shkruante: Jezusi na ka zbuluar se si në botë është e pranishme dashuria, dashuria që i drejtohet njeriut dhe përqafon gjithçka që e përbënë humanitetin e tij.

“Një Dashuri e tillë vihet re posaçërisht në kontakt me vuajtjen, me padrejtësinë, me varfërinë, në kontakt me të gjitha kushtet njerëzore historike, ku në mënyra të ndryshme shfaqet kufizimi dhe brishtësia e njeriut, si fizike e po kështu edhe morale”.

Për shën Faustinën, Papa kujtoi fjalët që Zoti Jezus ia drejtoi asaj, të cilat ua besoi anëtarëve të Fondacionit: ‘Bija ime, vështroje zemrën time të mëshirshme e riprodhoje në zemrën tënde dhe në veprat tua të mëshirshme, në mënyrë që ti vetë, që e shpall në botë mëshirën time, të jesh e përflakur (rrëmbyer)’.








All the contents on this site are copyrighted ©.