2016-10-21 14:18:00

Papa: baritoria e thirrjeve nuk është program, por takim me Jezusin


Baritoria e thirrjeve - pra, puna e Kishës me të rinjtë për t’i udhëhequr në zgjedhjen e rrugës së jetës e në ndjekjen e thirrjes për t’iu kushtuar Zotit – nuk është projekt, por ka të bëjë me imitimin e stilit të Jezu Krishtit. Kështu u foli sot Papa Françesku, pjesëmarrësve të Kuvendit Ndërkombëtar për Baritorinë e thirrjeve, që vijon nga e mërkura në Vatikan, organizuar nga Kongregata për Klerin. Ati i Shenjtë priti sot në Sallën Klementine rreth 255 pjesëmarrës, të cilëve u kërkoi të jenë barinj, të aftë ta dëgjojnë Popullin e Zotit e të kenë mëshirë për të.

Thirrja e Mateut: ky qe shembulli që përdori Papa. Jezusi del të predikojë e sheh Levin, publikanin e ulur në tryezën e taksave, dhe e thërret. Pra, stili i Jezusit është “të dalësh, të shohësh e të thërrasësh”: tri folje, që e mishërojnë këtë imitim të Krishtit, që kërkoi Ati i Shenjtë në ndjekjen e thirrjeve për t’iu kushtuar Zotit. Motoja e vetë papnisë “Miserando atque eligendo” (E mëshiroi, pa e zgjodhi) i referohet pikërisht thirrjes së Mateut e kjo është edhe tema e Kuvendit:

“Pra, shumë bukur që keni ardhur këtu, nga vende të ndryshme të botës, për të reflektuar mbi këtë temë, por, ju lutem, të mos mbarojë gjithçka me këtë kuvendim! Baritori e thirrjeve do të thotë të mësosh stilin e Jezusit, që kalon nëpër vendet e jetës së përditshme, ndalet pa nxituar dhe, duke i parë vëllezërit me mëshirë, i drejton kah takimi me Zotin Atë”.

Duhet dalë për të dëgjuar të rinjtë

Papa Françesku shtjelloi më pas, veç e veç, tre aspektet, tri foljet e kësaj përmase të punës së Kishës. Së pari, “të dalim”. Kemi nevojë për një Kishë në lëvizje, theksoi, një Kishë që të mos mbyllet në frazën “gjithnjë kështu kemi bërë”. Formulat e standartizuara janë shpesh anakroniste:

“Ua kërkoj këtë sidomos barinjve të Kishës, ipeshkvijve dhe meshtarëve: ju jeni përgjegjësit kryesorë për thirrjet e krishtera dhe meshtarake e, kjo detyrë nuk mund t’i besohet ndonjë zyre burokratike. Edhe ju keni përjetuar një takim, që jua ka ndryshuar jetën, kur një prift – famullitari, rrëfyesi, ati shpirtëror – ju ka bërë të provoni bukurinë e dashurisë së Zotit”.

Të shohim, pa nxitim e me kujdes

Meshtari, vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio,  duhet të dalë për të takuar të rinjtë, për t’i ndihmuar ta kuptojnë ç’drejtim duhet të ndjekin në jetë. E këtu, Papa Françesku reflektoi mbi aspektin e dytë, atë të vetëdijes për gjendjen e personave, që formohet duke “i parë” ata në ambientin e tyre. Ashtu si e pa Jezusi Mateun, me sy e me zemër, pa nxitim e me shumë kujdes, pa pretenduar kontrollin mbi ndërgjegjen e tjetrit e duke i lënë vend Hirit të Tënzot:

“Ua them këtë, në veçanti, vëllezërve ipeshkvij: vigjilencë e kujdes. Kisha dhe bota kanë nevojë për meshtarë të pjekur e të ekuilibruar, për barinj të guximshëm dhe bujarë, të zotë për afërsi, dëgjim e mëshirë”.

Jezusi tërheq, nuk paraqet programe

Pika e tretë, që vuri në dukje Papa, është “thirrja”, gjithnjë duke kujtuar mënyrën se si Jezu Krishti e grishi Mateun ta ndiqte:

“Jezusi nuk bën fjalime të gjata, nuk dorëzon ndonjë program për t’u pranuar, nuk bën prozelitizëm e as jep përgjigje të përgatitura më parë. Duke iu drejtuar Mateut, kufizohet me fjalën: ‘Më ndiq!’ Në këtë mënyrë, zgjon tek ai interesin për të zbuluar një horizont të ri, duke ia hapur jetën një ‘vendi’, që shkon përtej tryezës së vogël ku është ulur”.

Feja, përfundoi Papa, nuk është libër me receta apo me norma, por duhet t’i ndihmojë të rinjtë të vihen për udhë, që të zbulojnë gëzimin e Ungjillit. Megjithëse nuk është e lehtë, pranoi Ati i Shenjtë, Zoti na nxit të hedhim rrjetat edhe kur jemi të lodhur e të zhgënjyer se nuk kemi zënë gjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.