2016-10-20 14:35:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: përmasa e krishterë e vizitës tek të sëmurët


Në rubrikën radiofonike të së enjtes 'Çelësi i fjalëve të Kishës' vijojmë të reflektojmë mbi veprën e mëshirës “të vizitojmë të sëmurët”, duke nxjerrë në pah përmasat e krishtera të saj.

Dhembshuria për të sëmurin është dhembshuri për Krishtin, që vuan në kryq e që e ndan atë dhimbje me të sëmurin. Ky i fundit përmbledh në vetvete një mister, siç na e kujton enciklika “Salvifici Doloris” (n.4), ku shkruhet: “Vuajtja njerëzore shkakton dhembshuri, shkakton edhe respekt e, në mënyrën e saj, frikëson. Vërtet, në të përmbahet madhështia e një misteri të veçantë. …Rreth temës së vuajtjes, dy arsye duket se afrohen ndërmjet tyre e bashkohen: nevoja e zemrës, që na nxit të fitojmë mbi frikën dhe, detyrimi për hir të fesë, që na jep përmbajtjen, në emër e për forcën e së cilës guxojmë të prekim atë, që çdo njeriu i duket e paprekshme: sepse njeriu në vuajtje mbetet mister i paprekshëm”.

Për ta ilustruar këtë, na ndihmon imazhi biblik i Moisiut, që, pasi i hoqi sandalet, mbeti këmbëzbathur para kaçubes së përflakur nga ku i fliste Zoti. Para të sëmurit është e rëndësishme “të heqim sandalet”, në mënyrë që të kundrojmë misterin e vuajtjes. Hyjmë kështu në një territor si ai i misterit, që e kapërcen imagjinatën tonë: hyjmë në aspektin e shenjtë e hyjnor të vuajtjes.

Vuajtja evokon situata, rrethana, përvoja të dhimbshme, sëmundje e vdekje, të cilat duam shpesh, vetëm t’i harrojmë, por, njëkohësisht, na kujton edhe fitoren e Krishtit mbi vdekjen. Prandaj, përmasa e krishterë e vizitës tek i sëmuri nuk mund t’i lihet improvizimit apo ndjetit të mirë. Ajo kërkon një punë të thellë me vetveten që të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi thirrjes së të sëmurit, e cila na nxit të bëjmë pjesë në atë situatë të caktuar, të ndajmë kohën e impenjimin me të, të jemi bujarë, të flijojmë diçka nga vetvetja, pra, ta kapërcejmë vetveten.

Në Ungjillin sipas Lukës, samaritani i mirë na ofron një shembull për t’u ndjekur. I afrohet të plagosurit, i jep ndihmën e parë, e çon në bujtinë dhe i paguan ai shpenzimet për ta mbajtur e për ilaçet. Ai i jep gjithçka mundet këtij të sëmuri: që nga ndihma praktike e deri në ngrohtësinë njerëzore (shih Lk 10,29-37). Prandaj, vepra e parë e mëshirës ndaj të sëmurit është të impenjohemi që të ketë ndihmë shëndetësore të përshtatshme, duke ia plotësuar edhe nevojat ekonomike, nëse është i varfër. Por, i sëmuri ka nevojë sidomos për dashuri, sepse vetë gjendja e tij e varfëron nga kjo pikpamje. E këtu ka hapësirë të madhe për mëshirë, sidomos për ata të sëmurë, që jetojnë vetëm, ose janë larg nga të dashurit e tyre.

Kjo mund të na duket një vepër shumë e vështirë, por na inkurajon ç’na thotë Shën Pali: “Gjithçka mundem me ndihmën e Atij, që më jep fuqi” (Fil 4,13). Duke imituar Jezu Krishtin, që shkon të vizitojë të sëmurët - ashtu siç bëri me vjehrrën e Shën Pjetrit, të cilën e shëroi - secili prej nesh është i thirrur të impenjohet në këtë vepër mëshire për çdo të sëmurë.








All the contents on this site are copyrighted ©.