2016-10-20 12:33:00

Papa ndihmon të pastrehët me dhuratat e veta. Lotari e re


Çmimet janë caktuar nga Papa Françesku e s’janë tjetër, veçse dhuratat, që i kanë falur muajt e kaluar: një makinë Opel, një penë Montblanc dhe disa biçikleta me motorr, pastaj një orë, një makinë për kafe, 5 shandane prej xhami të Muranos, punuar me dorë e, madje, edhe një hamakë (shtrat i varur). Është fjala për “Lotarinë për veprat bamirëse të Atit të Shenjtë”, e cila edhe këtë vit, propozohet nga Lëmoshtaria Apostolike, që kujdeset për të pastrehët, jo vetëm në kryeqytetin italian, por edhe më gjerë.

Nisma, në edicionin e saj të katërt, përkon me përfundimin e Vitit Jubilar kushtuar Mëshirës Hyjnore dhe me periudhën festive të Krishtlindjes. Sipas dëshirës së Papës Françesku, shuma e mbledhur do të shkojë për të pastrehët, por edhe për popullsitë e dëmtuara nga tërmeti i 24 gushtit në Italinë qendrore. Lotaria do të fillojë pas pak javësh dhe do të përfundojë më 2 shkurt 2017, kur do të hidhet shorti e do të dalin biletat fituese. Një komision i veçantë do të garantojë sigurinë dhe ndershmërinë e shortit.

Biletat, të cilat kushtojnë 10 euro secila, mund të blihen në pikëshitjet brenda Vatikanit, në Farmaci, Postë, supermarket, magazinë, por edhe në pikëshitjen e Zyrës Filatelike e Numizmatike si edhe në ato të Muzeve të Vatikanit. Por edhe ata, që nuk ndodhen pranë Vatikanit mund t’i blejnë këto bileta në internet, duke klikuar në seksionin, që i kushtohet shitjes së tyre, në faqen e internetit “vaticanstate.va”.








All the contents on this site are copyrighted ©.