2016-10-20 17:57:00

Indi: ministri nacionalist hinduist nderon kujtimin e Nënë Terezës


Ministri indian i punëve të brendshme nderoi kujtimin e Nënë Terezës, shenjtëruar më 4 shtatorin e kaluar, në Shën Pjetër, nga Papa Françesku. Dje Rajnath Singh, një nga përfaqësuesit më të lartë të partisë nacionaliste hinduiste Bjp (Bharatiya Janata Party), mori pjesë, si i ftuar nderi, në manifestimin e organizuar në Delhi nga Konferenca ipeshkvnore indiane (Cbci). Duke folur përballë  pjesëmarrësve - njofton agjencia AziaNews - theksoi se Shën Tereza e Kalkutës erdhi në Indi për të fituar zemrat e njerëzve me dashuri dhe siguroi se qeveria do t’u garantojë siguri të plotë pakicave të pranishme në vend, si dhe atyre, që punojnë për të mirën e njerëzimit.

Në ceremoninë e përkujtimore, krerët e Kishës indiane

Ceremonia e përkujtimit të shenjtërimit të “Nënës së të varfërve më të varfër” u mbajt në Vigyan Bhawan, Qendër e kongreseve, pronë e qeverisë indiane. U organizua nga Cbci, në bashkëpunim me kryedioqezën e Delhit dhe dioqezën e Faridabad e Gurgaon. Të pranishëm, përfaqësuesit më të lartë të Kishës katolike në Indi, ndërmjet të cilëve, kardinali Baselios Cleemis, kryetar i Cbci; kardinali Oswald Gracias, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve të ritit latin; kardinali Telesphore Toppo, kryeipeshkëv i Ranchi dhe ish-kryetar i Cbci; kardinali George Alencherry, kryeipeshkëv i madh i  Ernakulam-Angamaly të Kishës siro-malabareze.

Singh premtoi se nuk do të ketë më dhunë kundër pakicave

Ministri i brendshëm kujtoi sulmet kundër pakicave, që ndodhën në shkurt 2015, në prag të zgjedhjeve për Asamblenë qeveritare të Delhit dhe siguroi se në të ardhmen nuk do të ketë më kurrë sulme të tilla. Singh theksoi fort se Shën Tereza quhej gjithnjë e nga të gjithë thjeshtë Nënë, emër  me të cilin e thërrisnin plot dashuri vetë indianët.

Nënë Terezën e donin edhe hinduistët

Prania e ministrit, një nga më besnikët e kryeministrit Narenda Modi, dëshmoi se Nënë Tereza duhet fort nga të gjitha shtresat e popullit, edhe nga besimtarët e fesë hinduiste. Këtë e vërteton edhe fakti se për kremtimin e shenjtërimit, qeveria e Indisë dërgoi në Vatikan një delegacion zyrtar, kryesuar nga ministri i jashtëm. Në vijim, organizoi edhe një kremtim madhështor në Kalkutë, në të cilin morën pjesë 20 mijë vetë.

Ekstremistët hinduistë nuk mundën ta errësojnë figurën e Nënë Terezës

Pjesëmarrja e Singh është edhe më domethënëse, po të kemi parasysh se disa herë baza ideologjike dhe paraushtarake e partisë, në të cilën bën pjesë, radikalët hinduistë të Rss (Rashtriya Swayamsevak Sangh), pati synuar ta errësojë figurën e Nënë Terezës. Por në të gjitha këto raste, përgjigjja e shoqërisë civile dhe e botës politike ishte e njëzëshme: Nënë Tereza është Shenjtorja, që shkriu gjithë jetën në shërbim të më të fundmëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.