2016-10-20 01:30:00

Atë Sosa: Jezuitët, të impenjuar në pajtimin e njerëzimit të plagosur


Këtyre ditëve u mbajt pranë Kuries së përgjithshme të Jezuitëve, konferenca  e parë e shtypit të Eprorit të ri të përgjithshëm, atë Arturo Sosa. Pranë tij, atë Federico Lombardi, asistent ad providentiam e këshilltar i përgjithshëm.

Ta kumtosh Ungjillin në mënyrë të re, e posaçërisht atje ku ka më shumë nevojë, të angazhohesh për të çuar pajtimin në një botë plot me plagë të thella. Atë Arturo Sosa nuk skicoi ndonjë program për qeverisjen e Shoqërisë së Jezusit, por vuri theksin mbi disa pika kyçe për misionin e Jezuitëve, pak pas zgjedhjes së tij si Epror i përgjithshëm.

Lidhje të frytshme me Jorge Mario Bergoglion

Jezuiti venezuelan përmendi marrëdhëniet e shpesha e të frytshme me Jorge Mario Bergoglion dhe nënvizoi se me Françeskun komunikon lehtë e thellësisht. Atë Sosa kujtoi edhe se Kongregacioni i 36-të i përgjithshëm  i Jezuitëve vijon punimet për zgjedhjen e organit të qeverisjes, që do ta mbështesë Eprorin në misionin e tij.

Shërbimi ndaj fesë e pajtimit, përparësi për Jezuitët

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, që e kishin mbushur përplot sallën ku u bë zgjedhja, atë Sosa vuri në dukje se për Jezuitët mbetën angazhime të dorës së parë shërbimi ndaj fesë dhe formimi intelektual. Prandaj e vuri theksin mbi kontributin e pajtimit, që mund ta ofrojnë jezuitët në shumë zona të plagosura të botës:

“Pajtim ndërmjet të gjithëve, në mënyra të ndryshme! Në të gjitha rajonet e botës shihet kjo plasë, kjo plagë e thellë, që ndan e që ndjehet fort edhe përballë situatave të rënda. Atëherë, kjo është thirrje e madhe për pajtim, është sfidë e madhe për ne që, si Shoqëri e Jezusit, këta pak burra, të mund të japim ndihmesën, të paktën me një përpjekje të vogël për pajtimin ndërmjet njerëzve, që është, njëkohësisht, edhe pajtim me Zotin e me Krijimin”.

Pajtim sidomos në vendet, një prej të cilave është pikërisht Venezuela, atdheu i atë Sosa-s, i cili ripohoi vullnetin e popullit të tij për të jetuar në paqe, larg dhunës. Foli edhe për administrimin  monopolist të naftës nga ana e shtetit, gjë që përbën një nga pengesat për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë. Lidhur me Kinën, eprori i përgjithshëm pohoi se prania e jezuitëve dhe dëshmia nga ana e tyre, është posaçërisht domethënëse në fushën e arsimit.

Nuk jam “papa i zi”, i shërbej Kishës si Jezusit

Atë Sosa iu përgjigj edhe një pyetjeje me karakter personal. Kujtoi se është krejtësisht i qetë për detyrën e re, se e ndjen pranë ndihmën e sivëllezërve  e posaçërisht të Zotit. “Shoqëria e Jezusit” është pikërisht e Tija  - vërejti – e kështu Zoti nuk do ta lërë kurrë pa ndihmë. Nuk më pëlqen të quhem “papa i zi” - shtoi - sepse karakteristika e veçantë për jezuitët - duke nisur nga Eprori i përgjithshëm - është shërbimi ndaj Papës e ipeshkvijve. Tregoi edhe se, që kur ishte fëmijë, e deshi fort Shoqërinë e Jezuitëve, tejet i tërhequr nga përshpirtëria injaciane.

Edhe për Jezuitët ka rëndësi ta jetojnë “Kishën në dalje”

 Pavarësisht se tre eprorët e përgjithshëm dhanë dorëheqjen - kujtoi - emërimi mbetet për gjithë jetën. Por gjithsesi, siç e dëshmoi edhe Benedikti XVI,  atë Sosa pohon se një epror mund të heqë dorë nga detyra  vetëm kur e ndjen se i ligështohen forcat. Theksoi,  gjithashtu, se edhe për jezuitët ka rëndësi t’i ndjekin thirrjet e Papës Françesku për të qenë “Kishë në dalje”. Atë Sosa, në përfundim, vuri theksin mbi lidhjen e frytshme ndërmjet komunikimit dhe ungjillëzimit, binom i rëndësishëm edhe për jezuitët. 








All the contents on this site are copyrighted ©.