Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë 18 tetorin e vitit 1685, si datën e botimit të kryeveprës së ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdani “Cuenus Prothetarum de Chirsto Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruan në gjuhën shqipe dhe italiane.
Ja edhe titulli origjinal i plotë e veprës: “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore
Mundi, et eius evangelica veritate, italice, et epirotice contexta, et in duas Partes
divisa”.
Kjo vepër teologjike e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit, shkruar për të ndihmuar
besimtarët e krishterë shqiptarë në njohjen dhe thellimin e të vërtetave të fesë së
krishterë, të të vërtetave ungjillore e në mënyrë të posaçme të figurës së Shëlbuesit
të Botës, Jezu Krishtit, cilësohet edhe si libri i parë i prozës origjinale shqipe
dhe mbetet një nga monumentet e teologjisë shqipe, të kulturës e posaçërisht të gjuhës
e letrave shqipe.
Siç dihet, në saje të botimit të kësaj vepre “Çeta e Profetëve” në vitin 1685 në Padovë
të Italisë, imzot Pjetër Bogdani zë një vend të dorës së parë në letërsinë shqipe
të vjetër. Me botimin e parë, vepra zgjoi një interes të madh jo vetëm në trojet shqiptare
po edhe në Itali e më gjerë, sikur dëshmojnë edhe dy botimet e kësaj vepre në vitet
1691 e 1702.
Interesi i zgjuar nga kjo vepër është në radhë të parë teologjik, sepse bënë fjalë
për jetën e Jezu Krishtit, por edhe letrar e shkencor. Pranë të dhënave biblike, të
vërtetave ungjillore, shtjellimeve teologjike, doktrinore e katekistike, në këtë vepër
të imzot Pjetër Bogdanit gjenden edhe disa interpretime shkencore mbi dukuritë e
natyrës, të bazuara në astronomi.
Rëndësia gjuhësore e kryeveprës së imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve”, është
origjinaliteti, shkruar shqip e italisht, sepse botimi i fundit dhe më interesant,
midis botimeve tjera të lashta në gjuhën shqipe, që kemi qysh, nga dom Gjon Buzukut
me ‘Mesharin’, Lekë Matranga, Frang Bardhi, Pjetër Budi e tjerë.
Veprat e këtyre autorëve ishin kryesisht përkthime të latinishtes e të italishtes
me disa shtojca origjinale të vetë autorëve, ndërsa vepra e imzot Pjetër Bogdanit
“Çeta e Profetëve” është krijimtari e tij teologjike, filozofike, historike e shkencore.
Në këtë vepër, shohim përgatitjen e lartë e të thellë teologjike e kulturore të imzot
Pjetër Bogdanit, shohim vetëdijen që ai ka për situatën e rëndë në të cilën ndodhët
populli dhe grigja e tij shqiptare nën zgjedhën otomane, dhe luftën që ai bën për
ta “mposhtur errësirën e injorancës, për të ndriçuar njerëzit me anë të diturisë e
jetës, që buron nga Bariu i Mirë, Shëlbuesi i botës, Jezu Krishti. Ky është ideali
që e frymëzoi imzot Pjetër Bogdanin gjatë veprimtarisë së tij në shërbim të Popullit
e të Kishës, sikur dëshmon vepra “Çeta e Profetëve”.
Kjo vepër doli si një kërkesë e kohës që përjetonin trevat shqiptare dhe Evropa. Në
vitin 1639 kryengritësit shqiptarë të Kelmendit kishin vënë në ikje një ushtri të
madhe turke, ndërkohë që osmanët ishin kthyer përpara Vjenës vetëm dy vjet para daljes
së veprës së imzot Pjetër Bogdanit.
E pikërisht dëshira dhe urgjenca për të ungjillëzuar e riungjillëzuar shqiptarët,
që kishin përqafuar fenë e pushtuesit turk, e shtynë imzot Pjetër Bogdanin që t’i
kërkonte kolegjit të Propagandës së Fesë të Vatikanit botimin e një vepre ku të shpjegoheshin
themelet e doktrinës së krishterë katolike. Vepra e shkruar nën dritën e qiriut në
kushte të vështira, ku imzot Bogdani strehohej që mos ta kapnin turqit, nxirrej mbasi
libra të tillë në gjuhën shqipe mungonin e botimet në gjuhën shqipe përndiqeshin e
ndëshkoheshin, me shpresën se duke e ndriçuar kombin shqiptar, të tjerë Gjergj Kastriota
do të dilnin në mbrojtje të vlerave e të vet popullit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |