2016-10-18 12:51:00

Françesku: barinj besnikë e, ndoshta, të braktisur, por kurrë të vrerosur


Bariu i mirë, që ndjek Jezu Krishtin e jo pushtetin, paratë e klanet, edhe kur braktiset nga të gjithë, ka gjithnjë Zotin pranë, nuk duhet të hidhërohet kurrë: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Duke komentuar Letrën e dytë drejtuar Timoteut, Ati i Shenjtë u ndal në fundin e jetës së apostujve. Pikërisht në këtë çast delikat, Shën Pali përjeton vetminë dhe vështirësitë. Por edhe të tjerët braktisen, i kanë njerëzit kundër e kur kërkojnë diçka për vete duhet ta lypin:

“Vetëm, lypsar, viktimë e zemërimit të të tjerëve, i braktisur. A është ky Pali i madh, ai që dëgjoi zërin e Zotit, thirrjen e Hyjit?! Ai që shkoi andej e këndej, që vuajti e u sprovua shumë për të predikuar Ungjillin, që u dha të kuptojnë apostujve se Zoti donte që jo besimtarët (xhentilët) të hynin në Kishë… Pali i madh, që gjatë lutjes arriti deri në Qiellin e Shtatë e dëgjoi gjëra, që askush nuk i kishte dëgjuar më parë: Pali i madh, aty, në një dhomë të shtëpisë së Romës, duke pritur si do të përfundojë lufta ndërmjet palëve brenda Kishës, ndërmjet ngurtësisë së të kthyerve në judaizëm e dishepujve besnikë. E kështu përfundon jeta e Palit të madh, në vetmi: jo me acarim e hidhërim, por me vetmi të brendshme”.

Kështu i ndodhi edhe Shën Pjetrit e edhe të madhit shën Gjon Pagëzues, vijoi Papa. Në qeli, plot ankth, dërgon dishepujt për ta pyetur Jezusin nëse është ai Mesia e përfundon kokëprerë, për shkak “të kapriços së një balerine dhe hakmarrjes së një gruaje kurorëthyerëse”. Kështu i ndodhi edhe Maksimilian Kolbes, i cili pati themeluar një lëvizje apostolike në të gjithë botën e pati bërë gjëra të mëdha, por vdiq në kamp përqendrimi. E ne nuk mund të mos kujtojmë edhe martirët shqiptarë të komunizmit, që përfunduan të torturuar, të vrarë, të pushkatuar e shpesh, të përçudnuar. “Kur apostulli është besnik – nënvizoi Ati i Shenjtë – nuk e pret tjetër fund, përveçse atij të Jezusit”. Por Zoti i qëndron pranë, nuk e lë, i jep forcë. Nëse kokrra e grurit nuk vdes, na thotë Ungjilli, nuk jep fryte. Ati i Shenjtë përmendi Tertulianin: “gjaku i martirëve është fara e krishterimit”.

 “Të vdesësh kështu, si martir, si dëshmitar i Krishtit: kjo është fara, që vdes e jep fryt dhe e mbush tokën me të krishterë të rinj. Kur bariu i Kishës jeton kështu nuk hidhërohet: ndoshta mund të jetë i vetmuar, i braktisur, por është i sigurtë se Zotin e ka pranë. Por kur, në jetën e tij, bariu merret me gjëra të tjera e jo me besimtarët – për shembull, me pushtetin, me paratë, me klanet e me shumë gjëra – në fund të jetës nuk është vetëm, por ndoshta, do të ketë pranë nipat, të cilët presin të vdesë për të parë ç’mund të marrin për vete”.

Papa Françesku e përfundoi kështu homelinë e tij:

“Kur shkoj për vizitë në shtëpinë për meshtarët e moshuar gjej shumë nga këta barinj të mirë, që kanë dhënë jetën për besimtarët. E janë aty, të sëmurë, paralitikë, në karrigen me rrota, por menjëherë u shihet buzëqeshja. E ndjejnë Zotin pranë. E me ata sy plot shkëlqim, pyesin: ‘Si shkon Kisha? Si shkon dioqeza? Si shkojnë thirrjet për t’iu kushtuar Zotit?’ Deri në fund, sepse janë etër, sepse kanë dhënë jetën për të tjerët. Le të kthehemi te Shën Pali. I vetëm, lypsar, viktimë e zemërimit, i braktisur nga të gjithë, por jo nga Jezusi Zot: ‘Vetëm Hyji më rri pranë!’. Ky është bariu i mirë, i cili duhet ta ketë këtë siguri: nëse ecën në rrugën e Krishtit, Zoti do t’i qëndrojë pranë deri në fund. Të lutemi për barinjtë në fund të jetës, të cilët po presin që Zoti t’i marrë me vete. Të lutemi që Hyji t’u japë forcë, ngushëllim dhe siguri që, megjithëse ndjehen të sëmurë e të vetmuar, Ai është me ta, pranë tyre. Zoti u dhashtë forcë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.