2016-10-18 11:37:00

25-vjet marrëdhënie diplomatike Seli e Shenjtë – Shqipëri kremtohen, në Romë, me një takim e një ekspozitë


Nesër, me nismën e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe   Universitetit Papnor Urbanian, në mjediset e kësaj shkolle të lartë, në Romë, me adresë via Urbano VIII, 16-00165, Ndërtesa e Vjetër, hyrja kryesore, do të përkujtohen 25-vjet marrëdhënie diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit.

Festa përkujtimore do të nisë në orën 11.30, në Auditorin Shën Gjon Pali II, ku Rektori i Universitetit Papnor Urbanian, Profesor Alberto Trevisol,  do të hapë, me një përshëndetje, kuvëndimin, organizuar me këtë rast. Më pas Profesor Ardian Ndreca do të mbajë kumtesën “Historia e marrëdhënieve shekullore ndërmjet Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit”. Veprimtaria përkujtimore do të vijojë me  fjalën e zotit Visar Zhiti, i ngarkuar me punë i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë,  titulluar “Përballë Nënë Terezës”. Së fundi dom Marian Paloka, do të mbajë një ligjëratë kushtuar 38 martirëve të Kishës shqiptare, në prag të lumnimit të tyre në Shkodër.

I pranishëm, edhe kardinali Ivan Dias, nunci i parë apostolik në Shqipërinë e pas komunizmit si dhe imzot Giovanni Gaspari, përfaqësues i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

Pas kuvëndimit, të pranishmit do të mund të sodisin Ekspozitën e titulluar “Dashuria e Shenjtores së shekullit XX, Nënë Terezës”, me vepra të piktorit shqiptar  Gjergj Kola e të skulptorit Hevzi Nuhiu.  

Kujtohet kështu, 25 vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-Seli Apostolike, rilidhur më 7 shtator 1991, në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë - e më pas, edhe në rang ambasade, për Republikën e Shqipërisë. 25-vjet më parë, pra. Vjet që nisën më 22 tetor 1991, kur u emërua nunci i parë apostolik, ipeshkvi indian, më pas kardinal, Ivan Dias, sot i pranishëm në kuvëndimin përkujtimor, i cili ia pati paraqitur letrat kredenciale Presidentit të Republikës, asokohe Sali Berisha, më 18 dhjetor 1991. Më pas emërohej edhe ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë Apostolike, Profesor Willy Kamsi, i cili ia pati paraqitur Letrat kredenciale Papës Gjon Pali II, më 22 prill 1993, pak para se Ati i Shenjtë të shtegtonte për në Shqipëri. Lidhja ndërmjet Selisë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë u pasua nga dy vizita papnore: e Gjon Palit II (25 prill 1993) dhe e Françeskut (21 shtator 2014) që, duke vizituar trojet shqiptare, nderuan martirizimin e popullit e të Kishës në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste! Pa harruar se pas shenjtërimit të Nënë Terezës, më 5 nëntorin e ardhshëm do të lumnohen, gjithnjë me miratimin e Selisë së Shenjtë, 38 bij të Kishës katolike, që shkrinë jetën në e për trojet shqiptare, larë me gjak martirësh. Për ta, në kuvendimin e nesërm, siç e kujtuam më lart, do të flasë Dom Marian Paloka.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.