2016-10-17 13:01:00

Papa për vizitë në Gjenovë, më 27 maj. Mirënjohja e kardinalit Bagnasco


Papa Françesku do të shkojë për vizitë në kryedioqezën e Gjenovës më 27 maj 2017. Njoftimi jepet përmes një komunikate të Sallës vatikanase të Shtypit. I madh gëzimi i kryeipeshkvit të Gjenovës, kardinalit Angelo Bagnasco, që është edhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore italiane, sot në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - E dhashë lajmin në katedrale, në përfundim të Meshës Shenjte për përurimin e Vitit baritor. Gjithë të pranishmit e pritën me gëzim të madh e edhe me mirënjohje të madhe ndaj Atit të Shenjtë, që dëshiron ta nderojë Gjenovën me praninë e tij.

Pyetje: - Si po përgatitet Kryedioqeza e Gjenovës për këtë vizitë të Papës?

Përgjigje: - Kryekreje është përgatitja shpirtërore, ashtu si me rastin e Kongresit Eukaristik të kohëve të fundit: bëmë një përgatitje të thellë, me lutje, katekizëm. Njëlloj, rëndësi të madhe për përgatitjen e këtij takimi, ka temperatura e bashkësisë së krishterë, që duhet të jetë e lartë. E kjo ndodh vetëm me lutje. Lutja e katekizmi kushtuar bukurisë së Kishës,  Pasardhësit të Shën Pjetrit, Apostujve…

Pyetje: - Vizita e fundme e një pape në Gjenovë ishte ajo e Benediktit XVI, në vitin 2008. Pra Papa rikthehet pas nëntë vjetësh: ç’kuptim ka kjo për Dioqezën tuaj?

Përgjigje: - Është hir i madh, natyrisht, ngushëllim i madh për gjithë dioqezën të presë  për vizitë Papët, Pasardhës të Pjetrit: së pari Gjon Palin II, më pas Benediktin XVI, tani Papën Françesku… do të thosha se Gjenova është vërtet e bekuar nga këto vizita: jemi shumë të nderuar e mirënjohës për vëmendjen ndaj bashkësisë sonë, që ka histori të madhe të lidhjes së ngushtë me Papën e të bashkimit të përzemërt me jetën e Kishës. Megjithatë dëshirojmë që kjo lidhje të bëhet gjithnjë më e ngushtë e të konfirmohet nga fjalët, nga prania e Papës Françesku, që di të komunikojë në një mënyrë aq të drejtpërdrejtë me fjalë, me gjeste…me gjithë vetveten!








All the contents on this site are copyrighted ©.