2016-10-17 14:58:00

Me 17 tetor kalendari kujton shën Injacin e Antiokisë


Me 17 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir. 17 tetori është data e martirizimit të Shën Injacit, ipeshkvit të tretë të Antiokisë, qyteti më i rëndësishëm në Siri e në mbarë botën e lashtë, pas Romës dhe Aleksandrisë. Mjafton të kujtojmë se ipeshkvi i parë i këtij vendi ishte vetë Shën Pjetri. E Injaci qe pasardhësi i tij i denjë, një nga shtyllat e Kishës, ashtu siç ishte edhe Antiokia shtyllë e botës së lashtë.

Nuk qe shtetas romak e me sa duket, nuk kishte lindur i krishterë. Madje të dhënat dëshmojnë se ishte në moshë të pjekur, kur u kthye në fenë e krishterë. Por kjo nuk e pengoi të bëhej bari tepër i zellshëm.
Ndërsa ishte ipeshkëv i Antiokisë, perandori Trajan nisi ta persekutonte Kishën, duke mbytur njëri pas tjetrit njerëzit më të shquar për urti e shenjtëri në hierarkinë e saj. I arrestuar e i caktuar për t’u flakur në mes të bishave të egra, Injaci arriti në Romë i lidhur me vargonj, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm. Në kryeqytetin e Perandorisë bëheshin përgatitje të ethshme për festime të mëdha në nder të perandorit, fitimtar në Dakí, e martirët e krishterë do të shërbenin për shfaqjet e cirkut, ku do të shqyheshin nga bishat.
Gjatë shtegtimit të tij nga Antiokia në Romë, Injaci Ipeshkëv shkroi shtatë letra, që konsiderohen jo më pak të rëndësishme se letrat e Shën Palit. Në këto letra, ipeshkvi që po shkonte drejt një vdekjeje të tmerrshme, i porosiste besimtarët të largoheshin nga mëkati, të ruheshin nga Gnostikët e sidomos, të çelnikosnin unitetin e Kishës. Kërkonte edhe një gjë tjetër, duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të Romës: të mos ndërhynin për ta shpëtuar nga martirizimi. “Ju nuk humbisni asgjë – u shkruante - ndërsa unë humbas Zotin, në se shpëtoj nga dhëmbët e bishave. Nuk do të kem kurrë më një fat të tillë për t’u bashkuar me Të. Më lini, prandaj, të flijohem tani, që elteri është gati. Të bashkuar të gjithë në një kor të vetëm, këndoni: “Zoti u denjua ta çojë nga Lindja në Perëndim Ipeshkvin e Sirisë”.
Në përfundim shpërthente, duke krijuar një nga figurat më të famshme në historinë e Martirëve: “Më lini të jem ushqim për bishat, të cilat do të më bëjnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem nga dhëmbët e egërsirave, që të bëhem bukë e Krishtit”.
E, si arriti në Romë në vitin 107, ipeshkvi i Antiokisë u blua vërtetë nga dhëmbët e bishave të pafajshme të cirkut, për të cilat Martiri gjeti shprehje poetike të pazakonshme: “Përkëdhelini – shkruante – që të jenë varri im; të mos lënë gjë prej gjëje nga trupi im e të mos trazohet askush për të më varrosur!”.

PapaBenedikti XVI mbi figurën e shën Injacit të Antiokisë
Në audiencën e përgjithshme të 14 marsit 2007 në Vatikan Papa Benedikti XVI foli mbi figurën e shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir i Krishtit, shembull i imitimit të Krishtit dhe të apostujve të Ungjillit për të gjithë.
Bashkim i çdo besimtari me Krishtin, derisa t’i përngjajë plotësisht. Bashkim i klerit dhe i besimtarëve me ipeshkvijtë për t’i kumtuar Ungjillin botës. Në audiencën e përgjithshme të 14 marsit 2007, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI u foli 40 mijë besimtarëve të pranishëm për përvojën e fesë që kërkon, mbi të gjitha, bashkim e mision. E këtë e bëri duke u nisur nga fjalët e njërit nga personalitetet më karizmatike të bashkësive të para të krishtera, Shën Injacit të Antiokisë.
“Nuk duhet ndërmarrë asnjë veprimtari që ka të bëjë me Kishën, pa ipeshkvin”. Na vjen nga Kisha më e lashtë - nga ajo në të cilën ndjehet fuqimisht freskia e kohëve të para dhe jehona e një breznie që njohu drejtpërdrejtë apostujt – një nga shtyllat mbi të cilat mbështetet tradita e saj dymijëvjeçare: bashkimi i ngushtë ndërmjet pjesëtarëve të ndryshëm të bashkësisë së krishterë, me në krye ipeshkvin. Mijëra besimtarëve e shtegtarëve, të cilët më 14 mars 2007 e ndoqën audiencën e së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të ndriçuar nga një diell i ëmbël pranveror, Benedikti XVI u paraqiti si shembull një bari të njohur të Antiokisë, Shën Injacin, që u quajt ‘dijetar i bashkimit’, falë energjisë së tij të ndriçuar nga Zoti, me të cilën iu kundërvu herezive, që nisën të përhapen qysh në ditët e para të vitit 100 pas Krishtit.
“Asnjë nga Etërit e Kishës nuk e shpreh me thellësinë e Shën Injacit dëshirën e zjarrtë të bashkimit me Krishtin e me jetën në Të. Në të vërtetë, tek Shën Injaci shkrihen dy rryma shpirtërore: ajo e Palit, e prirur plotësisht drejt bashkimit me Krishtin e ajo e Gjonit, e përqendruar mbi jetën në Jezusin, dy rryma që të çojnë në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit”.
Ky tension i papërballueshëm i Injacit për t’u bërë një me Krishtin – vërejti Benedikti XVI – themelon mistikën e mirëfilltë të bashkimit. Por – shpjegoi më pas Papa – bashkimi “në gjendje të pastër” gjendet vetëm në Zotin, prandaj ajo që mund të realizojnë njerëzit nuk është tjetër veçse përpjekja për t’i përngjarë, mundësisht sa më shumë, modelit. Ashtu si Papa Klementi romak – figurë tjetër e përmendur e krishterimit të lashtë, propozuar nga Benedikti XVI të mërkurën e kaluar, edhe Shën Injaci i Antiokisë ngul këmbë, me mësime e figura, mbi vlerën e bashkimit themelor që i lidh ndërmjet tyre të gjithë besimtarët në Krishtin.
“Duket qartë përgjegjësia e posaçme e ipeshkvijve, e meshtarëve dhe e diakonëve në përforcimin e bashkësisë. Vlen në radhë të parë për ta ftesa për dashuri e bashkim (…) Injaci, i pari në letërsinë e krishterë, e quan Kishën ‘katolike’, dmth ‘universale”. E pikërisht në shërbimin që i bën unitetit të Kishës katolike, bashkësia e krishterë e Romës, sipas tij, ushtron një lloj parie në dashuri (…). Siç shihet, Injaci është vërtetë “doktor në unitet’.
Në fund të fundit - pohoi Benedikti XVI- realizmi i Shën Injacit i fton të krishterët e djeshëm e të sotëm të zotërojnë atë shpirt të pandarë, që është vetë Krishti.
“Fton kështu për sintezën progresive ndërmjet përpjekjes për t’i shëmbëllyer Krishtit e përkushtimit ndaj Kishës, ndërmjet bashkimit të Kishës brendapërbrenda e misionit. E ne lutemi që Zoti të na ndihmojë ta gjejmë këtë unitet, sepse është dashuria ajo që pastron shpirtrat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.