2016-10-17 15:15:00

Fatima: takim i ipeshkvijve evropianë të Kishave lindore për emigrantët


Takimi vjetor i ipeshkvijve të Kishave lindore në Evropë do të mbahet sivjet në Fatima (Portugali), me ftesën e Patriarkut të Lisbonës, kardinalit Manuel Klemente, kryetar i Konferencës ipeshkvnore portugeze. Në këtë takim-shtegtim në shenjtëroren mariane të  Fatimës, e cila më 2017 përkujton 100-vjetorin e dukjeve të Zojës - njofton agjencia Sir -ipeshkvijtë përfaqësues të 15 Kishave katolike lindore në Evropë, së bashku me ipeshkvijtë përfaqësues të disa Konferencave të ndryshme  ipeshkvnore të vendeve të Evropës perëndimore (Franca, Gjermania, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar e Spanja) do të ballafaqohen për sfidat e kujdesit baritor të emigrantëve katolikë lindorë në këto vende.

Sfida të reja për kujdesin e emigrantëve të ritit lindor

Qysh nga shembja e regjimeve totalitare në vendet e Evropës lindore - lexohet në komunikatën e përhapur sot nga Ccee (Këshilli i konferencave ipeshkvnore të Evropës) që organizon takimin - një fluks masiv  emigrantësh katolikë të ritit lindor, që u përkasin kryesisht Kishave Sui iuris, nisën një jetë të re në vendet perëndimore. Pas njëzet vjetësh, me një fluks të vazhdueshëm emigrantësh të rinj si dhe me lindjen e breznisë së re të emigrantëve, Kishat mikpritëse, kryesisht të ritit latin në vendet perëndimore, janë përballë sfidash të reja, që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kulturor dhe kishtar të këtyre emigrantëve.

Do të jenë të pranishëm edhe kardinajtë Sandri e Bagnasco 

Në takim do të marrë pjesë edhe prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri. Ipeshkvijtë do të ndjekin analizën  e ekonomistit Joã Luís César das Neves, kushtuar çështjes së integrimit, dëshminë e një familjeje rumune dhe të një pedagogeje, që punon vazhdimisht me fëmijët e emigrantëve, e akoma, raportin mbi lidhjet ndërmjet Kishës, që pret e Kishës, që përcjell. I pranishëm në punime, edhe kryetari i ri i Ccee, kardinali Angelo Bagnasco. Punimet do të përfundojnë të diel, 23 tetor, me kremtimin e Liturgjisë hyjnore, kryesuar nga Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, kryipeshkëv i madh i Kyiv-Halyč, në Kishën e së Shenjtnueshmes Trini dhe me kapërcimin e Portës Shenjte të Mëshirës.








All the contents on this site are copyrighted ©.