2016-10-16 17:37:00

Zoja e Shkodrës: një lutje e lashtë për Marinë


Titullohet “Divocioni nei Zojen e Bekueme”, lutja që zgjodhëm për të kremten e madhe të Zojës së Shkodrës, që mbledh rreth vetes besimtarë nga anë e anës në Shejtëroren Kombëtare të Saj bri Kështjellës Rozafa: kështjellë mbi kështjellë për besimtarët katolikë. E shkëputur nga një ofice e moçme, që flet vetë për divocionin që patën gjithnjë shkodranët ndaj Nanës së Krishtit, aq sa ta quanin “Zoja e Shkodrës”, duke e lëshuar Qytetin e Veriut krejtësisht nën mbrojtjen e Saj.

Ja edhe lutja e transkriptuar, me pak ndryshime, për t’u kuptuar më lehtë: “T’mundohet se i cili me pas nji devocion t’ nezun e të përmallshëm nei Zojen e Bekueme e me e hapë këtë divocion n’shpi e gjithkund sa ku të mundet.

Divocioni për Zojë t’ bekueme asht pengu i shelbimit, T’bâim hesaap se Zoja e bekueme na i thotë neve ato fial t’ Shkruemit Shêit: “Aj qi t’më gjejn mue, ka me gjetë shelbimin” (Pror 8,35). Thonë Shêitnit qi s’ (m)und bieret njaj qi ka nji divocion t’sakt nei Zojen e Bekueme.

Zoja âsht Nana e Tenzot edhe Nana e jon. M’ saa âsht Nana e jon e i dhimena ka na shef se po hiekim keq, o se shkojmë m’u bjerrë e do me ma nnimue, e dishron me na pasë një ditë n’Parriz, me vedi. N’saa âsht Nana e Tenzot, âsht e pushtetshme e kaa n’dor haznat e Zotit e munnet me na nnimue n’e çdo nevoi t’on. Pra nìe ç’do nevoj t’ korpit e t’ shpirtit  t’i porositena Zojs Beekueme, sidomos nner rreziqe me e fye Zotin, tui raa n’nnoi’i mkat.

Ç’do t’mir qi na duhet, t’a lypim prei Zois me uzdajë t’madhe, por sidomos t’mirat e shpirtit.

Ta nderoim Zojen n’ç’do mnnyr, por sidmos:

1. Nadje t’ia falim Zojs vetvedin e t’ja porosisim pastriin t’on mos ta perlejm  n’at ditë as me mendime, as me fial, as me vepra e t’i thona tri Falemimrii.

2. T’thona trii her n’dit, nadje, n’miesdit e n’mbrame Eillin e Tenzot.

3, T’thona për gjith mramie Rruzaren e Zois o barè nji Pjesen e sai.

4. Ne e Shtunde t’ njinojm; no ta majmë, josè t’bâim nnoi veper t’mirë tieter per hater t’ Zois,

5. T’shkruhena n’nnoi Kongregacion o kompanii, janë nji mënyrë  e posaçme n’hije t’ Zois së Bekueme,

6. T’rrfehena e t’ kungohena nner Festa t’Zois.

7. T’bahena gadi me lutë mirë festat e Zois, tue than per nnann dit perpara, o barè tri dit do urat n’nneer e n’lavd t’Sai.

8. N’nadie, n’mramie e heraher n’dit t’ia lypim Zois bekimin me kto fial:

Po t’lutemi, o Nan e jona,

Epiu beekim prej qiellet

Shpirtnave tona!”.

Kjo ofice e lashtë, titulluar “Rruga e scelbimit”, botue në Scoder 1898, me sctamp t’Kolegs Papnore,  më se njëqind vjet më parë, na i kujton të gjitha porositë, që duhet t’i kemi parasysh edhe sot, për ta pritur me shpirt të pastër festën e Zojës së Shkodrës, Nanës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve. E tregon edhe divocionin e thellë të Shkodrës, që vijon në shekuj, ndaj Nanës së Krishtit, sidomos në Kishën bri Kështjellës së Rozafës, e cila duket sikur i ka themelet pikërisht mbi Kishën e vogël, ku rrajnë jo vetëm shkodranët, por besimtarë e jo, nga të katër anët.








All the contents on this site are copyrighted ©.