2016-10-16 00:00:00

Shenjtorët e javës 16 - 23 tetor


E diel 16 tetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 16 tetor kalendari përkujton edhe shën Margaritën Maria Alakokë, virgjër. Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Është vetë Ungjilli – siç shihet – ai që e përcakton këtë të diele temën e reflektimit tonë mbi fjalën e Zotit e kjo temë është urata.

Të hënën më 17 tetor, kalendari kishtar përkujton festën e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e Shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. Liturgjia e ditës na kujton se Ligjin hyjnor, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejet të vështirë të jetës.

Të martën më 18 tetor, kalendari përkujton shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve. Duke folur për Ungjillin e vet, në fillim të Veprave të Apostujve, shën Luka Shkruan: ”Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri kur u ngrit në qiell…” (Vep 1, 1). Emri Teofil është një emër i përveçëm, që i përkthyer shqip, do të thotë ‘i dashur nga Hyji’. Ungjilli i Lukës është shkruar për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë janë të dashur nga Hyji, prandaj mënyra më e mirë për ta nderuar këtë shenjt, është pranimi i ungjillit që ai na ka shkruar, pranimi i Krishtit.

Të mërkurën më 19 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Palin të Kryqit, pasionist, shën Gjonin e  Brëbëfit e  shën Isakut Joges.Liturgjia e ditës na kujton se Zoti ia shpall paqen popullit të vet. I krishteri duhet të rrijë gati, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në banketin dasmor të përgatitur prej Hyjit.

Të enjten më 20 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin e shën Vitalin. Liturgjia e ditës na tregon se dashuria e Zotit është kërkuese. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin.

Të premten më 21 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Kornelin, shën Orsolinës, shën Çeçilen e shën Gasprin nga Bufalo.Liturgjia e ditën pohon: me dashurinë e Zotit është plot toka. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve.
Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”

Të shtunën më 22 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Gjon Palin II, shën Donatin nga Fiezole, e shën Dun Skotin .Të gjithë këta shenjtorë e kërkuan me ngulm fytyrën e Zotit. Kush është i aftë të kuptojë shenjat e kohës di edhe si ta pranojë Krishtin, i cili shfaqet në ngjarjet e vogla e të fshehta të jetës. Mbetet e paharrueshme thirrja, që Gjon Pali II i drejtoj botës nga froni i Shën Pjetrit ditën kur filloi misionin baritor si pasardhës i kreut të Apostujve: “Mos kini frikë! Hapjani dyert Krishtit!” . Krishti kishte hyrë aq shumë në dyert e hapura të zemrës së Karol Vojtilës, sa ai u bë i ngjashëm me Krishtin në vuajtje e në lavdi.

Të dielën e ardhshme më 23 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 23 tetor, kalendari përkujton shën Gjon Kapestrani e shën Severinin. Ata na mësojnë se për të sjellë fryte në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit.
Françeskani italian Gjon Kapestrani që jetoi ndërmjet shekujve 14-15 shpalli pa u lodhur Ungjillin në Evropën Veriore e Lindore. Gjatë një homelie në Vjenë, tha: «Zakonisht unë fle dy orë ose vetëm një orë. Tani do të më pëlqente të flija e jo të predikoja, por nuk i përkas më vetvetes. Jam i juaji” . Me predikimin e tij synonte të përtërinte moralin e krishterë, të luftonte herezitë e të kundërshtonte kamatën në huadhënie.








All the contents on this site are copyrighted ©.