2016-10-16 15:51:00

Papa: “Të lutesh nuk do të thotë të strehohesh në një botë ideale, të lutesh do të thotë të luftosh!”


“Të lutesh do të thotë të luftojmë e ta lëmë edhe Shpirtin Shenjt të lutet në ne”. Papa e kujtoi vlerën e lutjes gjatë Meshës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit për shpalljen e shtatë shenjtorëve të rinj. “Të lutemi, pra, jo për të fituar luftën, por për të fituar paqen!”.

Martirizimi, afërsia me të varfërit e me të sëmurët! Këto janë karakteristikat e përbashkëta të shtatë shenjtorëve të rinj, shpallur sot nga Papa Françesku. Ishin martirë gjatë revolucionit meksikan e francez, ose meshtarë që, në Amerikën Latine apo në Itali, ndihmuan të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë dhe punëtorët e keqpaguar, si dhe një murgeshë franceze e cila, ndonëse e sëmurë vetë, vendosi të rrijë, deri në frymën e fundit, pranë të vuajturve. Shenjtorë, pra, që jo vetëm janë shembull për jetën tonë të përditshme, por edhe, e sidomos, na mësojnë vlerën e lutjes: “jo për të fituar luftën – theksoi Françesku  – por për të fituar paqen!”.

“Të lutesh nuk do të thotë të strehohesh në një botë ideale, nuk do thotë të ikësh e të mbyllesh në një qetësi të rreme, egoiste. Përkundrazi, të lutesh do të thotë të luftosh e ta lësh edhe Shpirtin Shenjt të lutet në ne – nënvizoi Papa. - Është Shpirti Shenjt ai, që na mëson të lutemi, na prin në lutje, na bën të lutemi si bij”.

Shenjtorët janë burra e gra, që depërtojnë në misterin e lutjes, deri në fund të fundit. Burra e gra që luftojnë me lutje, duke e lënë Shpirtin Shenjt  të lutet e të luftojë në shpirtin e tyre; luftojnë deri në frymën e fundit, me të gjitha forcat, e edhe fitojnë. Po jo të vetëm: Zoti fiton në ta e me ta.

E të shtatë dëshmitarët e shenjtëruar sot, e luftuan betejën e mirë të fesë dhe të dashurisë me lutje:

“Për këtë mbetën të fortë në fe, me zemrën bujare e besnike. Përmes shembullit të tyre e ndërmjetësisë së tyre, Zoti na jep edhe ne hirin të jemi burra e gra të lutjes; ta lartojmë ditë-natë zërin në lutje drejtuar Zotit, pa u lodhur kurrë; ta lëmë Shpirtin Shenjt të lutet në ne, e të lutemi duke u mbështetur në njëri-tjetrin, për të mbetur me krahë të lartuar drejt qiellit, derisa të fitojë Mëshira Hyjnore”.

Angazhimi i lutjes kërkon ta mbështesim njëri-tjetrin - saktësoi Papa. – Lodhja është e pashmangshme, aq sa nganjëherë nuk jemi më në gjendje të ecim përpara, por me mbështetjen e vëllezërve, lutja jonë mund të vijojë derisa Zoti ta kryejë plotësisht veprën e vet. Mënyra si vepron i krishteri  kërkon sjellje të mirëpërcaktuara. Të krishterët duhet të jenë të patundur në lutje, për të mbetur të patundur edhe në fe e në dëshmi. 

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti të gjithë shtegtarët që kishin ardhur nga vende të ndryshme të botës, për t’i nderuar Shenjtorët e rinj. Të pranishëm edhe delegacione ardhur nga Argjentina, Spanja, Franca, Italia, Meksika…Françesku u lut që shembulli dhe ndërmjetësimi  i këtyre dëshmitarëve të ndritur, ta mbështesë angazhimin e secilit në të gjitha fushat e jetës, të punës e të shërbimit, për të mirën e Kishës dhe të bashkësisë civile.








All the contents on this site are copyrighted ©.