2016-10-14 13:42:00

Nesër tek Papa, në Vatikan, më se shtatë mijë gjyshër


Nesër, Senior Italia Federanziani, së bashku me Anla Onlus, Shoqata Kombëtare e punonjësve të moshuar, do të sjellin në Sallën e Palit VI, në Vatikan, më se shtatë mijë gjyshër e gjyshe, për një takim me Papën Françesku.

Takimi, organizuar nga Fondacioni Senior Italia dhe Anla Onlus, lexohet në një notë, është kulm i Festës së Gjyshërve 2016 e njëkohësisht, përfundim i saj. Nesër, pra, është dita e gjyshërve. Do të rrajnë në Romë nga të katër anët e Italisë e edhe të botës, plot me entuziazëm, i cili buron nga dëshira për të takuar Atin e Shenjtë e nga fjalët e tij, që i paraprijnë këtij takimi të jashtëzakonshëm: “Kemi nevojë për ëndrrat e gjyshërve, nevojë që të na i tregojnë”.

Para takimit të Papës me gjyshërit në Sallën Nervi, do të shfaqet një koncert, drejtuar nga gazetarja dhe aktorja Elena Grazini. Ndërsa protagonistët do të jenë vetë të moshuarit, të cilët do të tregojnë ç’gjëra të jashtëzakonshme bëjnë në jetën e tyre të zakonshme, të përditshme, posaçërisht, sa të mira i bëjnë bashkësisë, në gjirin e së cilës jetojnë e edhe vijojnë të punojnë me shumë përkushtim. Shpirtërisht ende të rinj, pleqtë u tregojnë, kështu, pasardhësve, se rinia nuk matet me sasinë e vjetëve, por të ëndrrave e, sidomos, të përpjekjeve për realizimin e tyre. Prej këndej Papa i fton të mos i lëshojnë remat, por ta vijojnë me guxim lundrimin, edhe në detin me shumë dallgë të moshës, duke ua transmetuar këtë përvojë të rinjve të sotëm, që do të jenë të moshuarit e nesërm.








All the contents on this site are copyrighted ©.