2016-10-14 15:00:00

Atë Arturo Sosa, venezuelan, është eprori i ri i përgjithshëm i Jezuitëve.


 U zgjodh eprori i ri i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit. Është atë Arturo Sosa, venezuelan, 68 vjeç.

I lindur më 1948, në Karakas, i shuguruar meshtar në vitin 1977, është në Shoqërinë e Jezuitëve që në vitin 1966. Ishte këshilltar i Atit të përgjithshëm për shtëpitë dhe veprat ndërprovinciale të Shoqërisë së Jezusit, në Romë. Fitoi doktoratën në shkencat politike, pranë Universidad Central, në Venezuelë.

Atë Sosa, në Shoqërinë e Jezuitëve që në vitin 1966, është eprori i 31-të  i përgjithshëm i saj..

Votimi

Në votim morën pjesë 212 zgjedhës, delegatë të pothuajse 17 mijë Jezuitëve të botës. Atë Arturo Sosa zë vendin e Atë Adolfo Nicolas, që dha dorëheqjen në moshën 80 vjeçare, ashtu si paraardhësi i tij, atë Peter Hans Kolvenbach, në vitin 2008. Papa është personi i parë të cilit, sipas traditës, i komunikohet emri i eprorit të ri të Jezuitëve. E është hera e parë në historinë e Kishës katolike që një atë i përgjithshëm zgjidhet gjatë papnisë së një pape jezuit.

Kongregacioni i 36-të

Kongregacioni i parë i përgjithshëm u mbajt në vitin 1558, dy vjet pas vdekjes së themeluesit të Shoqërisë së Jezusit, Shën Injacit të Lojolës. I fundmi, i 36-ti, nisi në Romë më 2 tetorin e kaluar dhe u përqendrua mbi temën: “Drejt detit të hapur, atje ku është më i thellë”. Pjesa kryesore e votimeve kanë të bëjnë me propozimet mbi tekstet që, nëse pranohen, bëhen norma për drejtimin e Shoqërisë. Për herë të parë shumë votime u bënë përmes sistemeve dixhitale, falë tableteve me të cilat ishin pajisur zgjedhësit. Për zgjedhjen e atit të përgjithshëm,  procedura ishte pikërisht ajo, që përshkruan Shën Injaci në Kushtetutën e Shoqërisë, nëpërmjet skedave prej karte.

Zgjedhja e atit të përgjithshëm

Zgjedhja u realizua pas katër ditësh, që njihen si “murmuratio” apo kohë lutjesh e shqyrtimi. Sot, pas kremtimit të Meshës, në të cilën zgjedhësit iu lutën përsëri Shpirtit Shenjt t’i frymëzojë në çastin e votës, u takuan në sallë, për të votuar. Secili zgjedhës mori skedën prej karte, në skaj të së cilës shkruhej  kjo frazë: i nënshkruari betohet se po voton për atë që mendon në Zotin e që është më i aftë për ta ushtruar këtë detyrë. Zgjedhësi, pas nënshkrimit të betimit, në anën e prapme të faqes, shkroi emrin e personit, për të cilin kishte votuar.

Profili i gjeneralit në Kushtetutë

 Nuk mund të mohohet se profili i skicuar në Kushtetutë është shumë ambicioz. Eprori i përgjithshëm - lexohet -  duhet të jetë më i shquari në çdo virtyt e një nga njerëzit me merita më të mëdha në gjirin e Shoqërisë, ku duhet të njihet prej kohe si i tillë. Udhëheqësi, që Shën Injaci dëshiron për Shoqërinë e Jezusit - siç nënvizohet edhe në faqen institucionale të Jezuitëve italianë - është ai, “që mund të prijë posaçërisht me shembullin e tij, njeri me përshpirtëri të thellë, mik i Zotit në lutje, në veprim e në lidhjet njerëzore, me zemër të lirë, që i krijon mundësitë t’i prijë Shoqërisë me dashuri të përvujtëri, drejtësi e guxim”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.