2016-10-14 12:39:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar "C"


Ja përsëri në takimin tonë  javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e kësaj së diele vazhdon të na mësojë mbi uratën, duke na drejtuar thirrjen urgjente për të rikuperuar domethënien e thellë të lutjes. Mirësia e Atit Hyjnor që është në qiell e që na dëgjon gjithmonë, na dhashtë forcë e qëndresë për të Ju drejtuar përherë me lutjen tonë të përzemërt.

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Është vetë Ungjilli – siç shihet – ai që e përcakton këtë të diele temën e reflektimit tonë mbi fjalën e Zotit e kjo temë është urata. Liturgjia e nënvizon këtë temë me zgjedhjen e leximit të parë nga libri i Daljes, që na përshkruan një skenë (pamje) të lutjes solemne e dramatike: Moisiu që lutet mbi kodër me duar të lartuar drejt qiellit, ndërsa populli tij, në fushë (ultësirë), lufton për jetë a për vdekje.

Duhet pra të flasim mbi lutjen, a, ma mirë të themi, të marrim mësim prej Zotit si duhet të lutemi. “Lutja – ka shkruar një Atë i Kishës – është dialog me Zotin dhe është e mira më e madhe. E vërtetë, lutja është bashkimi intim me Zotin. Ashtu si sytë e trupit duke pa dritën ndriçohen, kështu edhe shpirti që anon drejt Zotit shndritet nga drita që tregohet dot me fjalë dhe lutjes, kur ajo nuk bëhet sa për zakon, por buron) nga zemra” (shën Gjon Gojarti, Hom. VI mbi lutjen; PG 64,462). Lutja është pra drita e shpirtit. Në lutje, veç jemi atë që do të jemi në jetën e përjetshme: fytyrë me fytyrë me Zotin (krh 1Kr 13,12).

“Kur luteni thuani: Ati ynë...(Lk 11,2). Me këto dy fjalë Jezusi e përcakton se çka është lutja dhe çfarë qëndrimi a sjellje duhet të ketë dishepulli kur lutet. Të lutesh, në formën më të thjeshtë, do të thotë t’i drejtohesh Zotit si: i drejtohet bijtë babait; uratë është kur Hyji i thua Abbà Atë. Jezusi jo vetëm që na ka mësuar këtë mënyrë të re të lutjes ( të re, sepse asnjë hebre nuk e pati kurrë guximin t’i drejtohej Hyjit me atë titull kaq familjar), por edhe e mishërojë. Nëse i krishteri që lutet është një bir që flet me Atin e vet, një gjë duhet të shkëlqejë posaçërisht në uratën e tij: liria. Lutja e të krishterit është autentike dhe e krishterë në masën në të cilën është e lirë. Kështu, liria do të thotë hapje e brendshme e ndërlikime.

                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 17, 8-13

Hyji që ka thirrur Izraelin dhe e ka bërë të dalë nga Egjipti është një Hyj që ushqen popullin e tij kur ka uri, i shuan etjen kur ka etje dhe e mbështet kur ekzistenca e tij është e kërcënuar. Por Hyji nuk shpëton njeriun pa njeriun, dhe Moisiu e di mirë, duke u bërë ndërmjetësi para Hyjit për të fituar fitoren e popullit të tij.

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, erdhi Amaleku, për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. Moisiu i tha Jozuehut: “ Zgjedh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë.” Jozuehu bëri siç urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës.

Kur Moisiu i çonte duart lartë, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehu e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 121

Ndihma jonë vjen prej Zotit

----- ----- -----

Sytë e mi i ngre drejt maleve:

prej nga do të më vijë mua ndihma?

Ndihma ime vjen prej Zotit,

i cili krijoi qiellin e tokën.

----- ----- -----

S’do të lejojë që të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

Jo, s’do të kotet as s’do të flejë

ai që e ruan Izraelin.

----- ----- -----

Zoti është rojtari yt, Zoti është hija jote,

Zoti është në të djathtën tënde!

Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,

as hëna natën.

----- ----- -----

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetës.

----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 3, 14 – 4, 2

Pali na nxit të ushqejmë besimin duke lexuar Shkrimet e Shenjta dhe të shpallim Fjalën e Hyjit pa frikë. Lexohet Bibla jo për tu mbyllur në një burg, por për të zbuluar së bashku me vëllezërit planin e Hyjit në histori. Bibla lexohet duke ecur me të tjerët. Të shpallësh fjalën do të thotë të dialogosh për të mësuar njëri-tjetrin.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin shenjt, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. I tërë Shkrimi shenjt, E frymëzuar prej Hyjit, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij, predikoje fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! Fjala e Zotit.

ALELUJA, alleluja.

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.

Aleluja.

Ungjilli Lk 18, 1-8

Të lutesh pa u lodhur do të thotë të pranosh ngadalësinë e rritjes së Mbretërisë, në fakt edhe Hyji e pranon. Lutja bëhet kështu një mjet për të treguar se kush është Hyji dhe si sillet Ai ndaj njerëzve. Hyji na pret pa pretenduar të gjejë akoma besimin në njeriun. Edhe i krishteri që lutet është në pritje pa qenë i sigurt nëse ka arritur qëllimin e tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Ai tha: “Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore’.”

Zotëria vazhdoi: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritët me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?” Fjala e Zotit!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, mund të dëgjoni edhe këtu........








All the contents on this site are copyrighted ©.