2016-10-13 12:51:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të vizitojmë të sëmurët


Në emisionin e sotëm, do të flasim për një vepër të re të mëshirës: të vizitojmë të sëmurët, që do të thotë jo vetëm të shkojmë t’i shohim, por të rrimë me ta, t’i bëjmë ta ndjejnë ngrohtësinë e afërsinë e dashurisë sonë.

         Në Besëlidhjen e Vjetër dëshmohet qartë rëndësia e vizitës tek i sëmuri dhe këshillohet të zbatohet gjithnjë kjo vepër mëshire: “Mos përto të shkosh t’i shohësh të sëmurët, sepse prej tyre do të jesh i dashur” (Sir 7,39). Kjo nxitje për të vizituar të sëmurët, “bikur cholim” në hebraisht, do të përmendet edhe më tej në letërsinë rabinike. Sipas Talmudit (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës), vizita e të sëmurëve i sjell gjithë botës hir hyjnor, ndërsa “ai, që e viziton të sëmurin, i heq atij një të gjashtëdhjetën e dhimbjes” (Nadarim 39b). Rabini Dimi kujton se: “Kush e viziton të sëmurin, e shëron atë e, kush nuk e viziton të sëmurin, e bën atë të vdesë”.

         Në praktikë, kur hebrenjtë vizitojnë një të sëmurë, duhet të kërkojnë mëshirë për të, duke kujtuar njëkohësisht edhe të gjithë hebrenjtë e tjerë, që nuk janë mirë me shëndet: “Zoti pastë mëshirë për ty, në mes të të sëmurëve të Izraelit”. Në praninë e të sëmurit, ky bekim mund të thuhet në çdo lloj gjuhe; larg prej tij, vetëm në hebraisht. Talmudi e shpjegon këtë normë me një figurë interesante: larg të sëmurit, lutja dëgjohet nga engjëjt e shërbimit hyjnor, që kuptojnë vetëm gjuhën hebraike; ndërkaq, kur jemi para të sëmurit, jemi para vetë Hyjit, të pranishëm në të gjitha sendet e edhe në vetë njeriun, prandaj mund të përdoret çdo lloj gjuhe.

         Gjendja e të sëmurit është e ndërlikuar dhe mund të shqyrtohet nga perspektiva të ndryshme, si ajo shkencore, shoqërore, humanitare, shpirtërore, baritore e kështu me radhë. Por, në thelb, i sëmuri është njeri, që ka nevojë për ndihmë, kujdes e mbështetje. Me praninë e tij mes nesh, i sëmuri na kërkon të pranohet, të kuptohet dhe të dëgjohet. Dëgjimi është tendosja e timpanit të veshit për t’i lënë tingujt të hyjnë. Sipas traditës rabinike, veshi ka formën e hinkës, në mënyrë që të jetë në gjendje të marrë informacione. Fjala është diçka, që hyn në vesh dhe arrin deri në thellësi të qenies. Por pa heshtjen, nuk mund të kemi dëgjim. Të heshtësh do të thotë t’i lesh tjetrit hapësirë, duke qenë i gatshëm ta dëgjosh me gjithë qenien tënde.

E lidhur ngushtë me dëgjimin është edhe vëmendja. Jo më kot, kur njeriu është i vëmendshëm, thuhet: “ishte gjithë sy e veshë”. Njeriu, që i kushton vëmendje tjetrit bëhet mikpritës, i gatshëm për miqësi, i ndjeshëm ndaj nevojave të tjetrit. Në këtë mënyrë, i lejon tjetrit të hyjë, nëse ai vetë nuk është tepër i mbushur me mendime. Pra, duhet ta lemë mënjanë gjithçka na tërheq vëmendjen nga dëgjimi e kjo do të thotë të heqim dorë nga diçka e jona, qoftë edhe vetëm koha. Duke përmbledhur sa thamë, karkateristikat e qëndrimit tonë pranë të sëmurit, sidomos gjatë vizitës, janë dëgjimi, heshtja brenda vetes për ta dëgjuar, vëmendja dhe gatishmëria.

Por gjithçka, duhet shoqëruar nga dhembshuria, siç na kujton Papa Françesku në mesazhin për Ditën XXII Botërore të të Sëmurit: “Duhet ta shtojmë dhembshurinë, bamirësinë plot respekt dhe delikatesë, duke e ngulitur vështrimin mbi Marinë, Nënë e Krishtit dhe e të gjithë të vuajturve… brenda vuajtjes sonë është vuajtja e Jezusit, i cili e mbart këtë peshë bashkë me ne dhe na zbulon kuptimin e saj. Kur Biri i Zotit u gozhdua në kryq, i dha fund vetmisë së vuajtjes dhe e shndriti errësirën e saj. Në këtë mënyrë qëndrojmë para misterit të dashurisë së Zotit për ne, që na dikon shpresë e guxim: shpresë, sepse në planin e dashurisë së Zotit, edhe nata e dhimbjes hapet para dritës së Pashkëve; e guxim, për të përballuar çdo problem në shoqërinë e Tij, të bashkuar me Të”.








All the contents on this site are copyrighted ©.