2016-10-13 13:56:00

Siri: ipeshkvi armen, e dimë se zemra e Papës rreh për ne


Pas audiencës së djeshme të përgjithshme, ipeshkvi armen pohoi: “E dimë se zemra e Papës rreh për ne. E pamë qartë kur vendosi ta radhisë kryeipeshkvin Mario Zenari, nunc apostolik, në listën e kardinajve të ardhshëm. Por ndërsa Françesku kërkon armëpushimin, mbi ne vijojnë të breshërojnë bombat, si në Halebin e lindjes, ashtu edhe në atë të perëndimit. E orët e fundit dy predha artilerie shpërthyen edhe në lagjen tonë, Shpresojmë se fjalët e Papës do të arrijnë në vesh të atyre që, në forma të ndryshme, vijojnë ta ushqejnë këtë luftë të ndyrë”. Kështu shprehet  Boutros Marayati, kryeipeshkëv i arqiheparkisë armene katolike të Halebit. Këto fjalë u komentuan menjëherë nga agjencia vatikanase Fides, që nënvizoi posaçërisht thirrjen, drejtuar nga Papa Françesku  në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur dje në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Gjatë kësaj audience Papa kërkoi të ndërpriten bombardimet në vijim, në Siri, për të lejuar kështu, evakuimin e civilëve nga zonat e konfliktit. Në fjalët e kryeipeshkvit ndjehet fort shpresa, por jo më pak, edhe ankthi për ashpërsimin e vazhdueshëm të situatës në vend. Këto ditë- vijon imzot Marayati - i dërguari i OKB-së, Staffan de Mistura, u tregua i gatshëm të vijë në Haleb për t’i shoqëruar fizikisht grupet e armatosura rebele jashtë zonës urbane, duke u garantuar atyre paprekshmërinë, ndërsa civilëve, çlirimin nga makthi i bombave. Po rebelët nuk e pranuan propozimin e tij. Tani jemi përsëri pa ujë e pa dritë e situata rëndohet ditë për ditë, posaçërisht për fëmijët - kujton me shqetësim të thellë ipeshkvi sirian.








All the contents on this site are copyrighted ©.