2016-10-13 14:29:00

Papa luteranëve: ta dëshmojmë së bashku mëshirën e Zotit


Të lirë nga paragjykimet, me ndihmën e Zotit, të ecim drejt bashkimit të plotë: kështu u shpreh Papa në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve në shtegtimin e luteranëve, ardhur nga Gjermania, pritur në Sallën e Palit VI, në Vatikan.

Ishin më se një mijë, luteranët e ardhur në Vatikan nga rajoni gjerman i Anhalt, i cili e pranoi pothuajse menjëherë reformën. Sot - tha gjatë përshëndetjes së tij kryetari i Kishës ungjillore vendase, Joachim Liebig - këtu feja tashmë është e pakicës.

Papa Françesku kujtoi shtegtimin e tij, tashmë të afërt, në Lund të Suedisë (31 tetor- 1 nëntor), për të përkujtuar 500-vjetorin e fillimit të reformës së Luterit, rast ky, për të falënderuar Zotin që u krijoi katolikëve dhe luteranëve mundësitë për 50 vjet dialog zyrtar.

“Ta falënderojmë Zotin sepse sot, luteranë e katolikë ecim në udhën që shkon nga konflikti, në bashkim. E përshkuam tashmë së bashku një copë të mirë udhe. E gjatë ecjes, provojmë ndjenja kundërshtare: dhimbje për ndarjen që vijon ndërmjet nesh, por edhe gëzimin për vëllazërinë e rigjetur”.

Pjesë themelore e këtij përkujtimi - tha Papa - do të jetë drejtimi i syve tanë kah e ardhmja, lidhur me dëshminë e krishterë të përbashkët në botën e sotme, që ka aq shumë etje për Zotin e për mëshirën e Tij.

Dëshmia që pret bota nga ne, është posaçërisht ta bëjmë të dukshme  mëshirën e Zotit përmes shërbimit ndaj më të varfërve, të të sëmurëve, atyre që braktisin vatrat e tyre, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për vete e për të dashurit. Duke u vënë në shërbim të nevojtarëve, provojmë sesa jemi të bashkuar: Është mëshira e Zoti që na bashkon.

Shpresojmë - pohoi akoma Papa - se do të mund të vijojmë ta thellojmë mirëkuptimin e ndërsjelltë, me vetëdijen se, për virtyt të Pagëzimit tonë, duke i kapërcyer shumë çështje të hapura, të cilat vijojnë të na ndajnë, jemi tashmë të bashkuar. E ajo që bashkon, është shumë më tepër sesa ajo, që na ndan.








All the contents on this site are copyrighted ©.