2016-10-13 12:31:00

Më 13 tetor, kujtojmë përvjetorin e dukjes së fundit të Zojës së Bekuar në Fatima më 1917


Më 13 tetor, kujtojmë përvjetorin e dukjes së fundit të Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë 13 tetor 1917. Pra, si sot më 13 maj 1917, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinta e Françesko, kullosnin grigjat e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore.

Për herë të fundit Zoja, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor 1917, kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore. U foli tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave.
Nga Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që u rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit në Kishë e në mbarë botën. U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit.

Zoja foli për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha. Pastaj dukjet u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981. Me tre sekretet që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël. E edhe me lumnimin e tre barinjve, ndërmjet të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i zbuluar botës sekretet e Zojës së Fatimës, që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota e që Papa Benedikti XVI e kujtoi sot në audiencën e përgjithshme.

Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues. Kisha e fton botën, e cila tepër shpesh shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë e harrojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, më 1917, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton.

Është një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes.

Mesazhi që u përcolli Zoja Bekuar barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën Shën Gjon Palin II, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja Bekuar ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.