2016-10-12 13:49:00

Papa: të krishterët, të bashkuar kur persekutohen nga terroristët dhe fuqitë


Të krishterët bashkohen edhe nga ekumenizmi i gjakut! E tha Papa Françesku, duke pritur sot, në sallën e vogël, pranë Sallës së Palit VI, pjesëmarrrësit në Konferencën e Sekretarëve të “Christian World Communions”(Bashkimi i të Krishterëve të Botës), organizatë ndërkombëtare me karakter ekumenik.

Ekumenizmi bëhet përudhë, me Jezusin e të gjithëve, jo me Jezusin kundër tjetrit. Papa Françesku iu drejtua sekretarëve të “Christian World Communions”, për t’u kujtuar se është e nevojshme të pranohet një tip i posaçëm ekumenizmi; ai i gjakut:

“Kur terroristët ose fuqitë botërore i persekutojnë pakicat e krishtera ose të krishterët, kur e bëjnë këtë, nuk pyesin: ‘Po ti, je luteran? Ti, ortodoks? Je katolik? Je  protestant? Pentekostal?, jo!’. ‘Ti je i krishterë’. Ata njohin një të vetëm: të krishterin. Armiku nuk gabon, e di mirë ku është Jezusi. E ky është ekumenizmi i gjakut”.

Sot je dëshmitar i asaj që ndodh - vijoi Papa ,duke menduar për vëllezërit ortodoksë koptë, të therur në plazhet e Libisë:

“Janë vëllezërit tanë! Dhanë dëshminë e tyre për Jezusin dhe vdiqën  duke iu lutur: ‘Jezus, më ndihmo!’. Me emrin e tyre, dëshmuan emrin e Jezusit. Kështu ekumenizmi i lutjes, ekumenizmi i udhës dhe armiku na mësojnë ekumenizmin e gjakut”.

Françesku e nisi përshëndetjen e tij duke bërë dy pyetje: “A jam i aftë të besoj se Jezusi është me ne? I aftë të ec me të gjithë bashkë, edhe me Jezusin?” Puna e teologëve është shumë e rëndësishme - vijoi - studiojnë, janë dakord ose jo, por nuk duhet harruar se ekumenizmi bëhet me lutje e me ndihmën e të tjerëve. Është ekumenizmi i lutjes, të gjithë për të tjerët e të gjithë për unitetin. Françesku  foli edhe për ekumenizmin e punës për shumë burra e gra, që sot pësojnë padrejtësi e luftëra. E Papa bëri thirrje  për ta ndihmuar të afërmin e për ta dëshmuar dashurinë ndaj tij, sepse ky është ekumenizëm, është unitet, unitet në ecje me Jezusin.  








All the contents on this site are copyrighted ©.