2016-10-12 15:30:00

Më 12 tetor kujtojmë themelimin në Stamboll të Shoqërisë të të Shtypurit të Shkronjave Shqip.


Më 12 tetor 1879, me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, u themelua në Stamboll "Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip", e cila pak kohë më parë kishte botuar alfabetin shqip. Kështu mv 12 tetor 1879 konferenca e Stambollit vendosi themelimin e shoqërisë kulturore dhe miratoi kanonizmën (statutin) e saj, të cilën e nënshkruan të gjithë pjesëmarrësit. Zyrtarisht organizata u quajt “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, kurse shkurtimisht u bë zakon të thirret “Shoqëria e Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Kryetar i saj u zgjodh Sami Frashëri, kurse pjesëmarrësit e konferencës formuan këshillin qendror të shoqërisë.

Programi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip u shpreh në mënyrë të qartë në kanonizmën e saj. Ai nisej nga teza e shpallur qysh prej rilindësve të parë, se çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar është një komb i prapambetur. Prandaj qëllimi i shoqërisë ishte ta nxirrte popullin shqiptar nga prapambetja duke zhvilluar arsimin kombëtar dhe letërsinë shqipe.

Ishte pra shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare, që do të shihnin dritën në shtypshkronjën e shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit.

Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut.








All the contents on this site are copyrighted ©.