2016-10-11 13:32:00

Papa Françesku: “jo” fesë sa për t’u dukur


Jezu Krishti na kërkon të bëjmë mirë, por me përvuajtëri, pa u dukur, sikur kushedi ç’po bëjmë. Kështu tha Papa Françesku sot në mëngjes, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në festën liturgjike të Shën Gjonit XXIII, papës së mirë. Ati i Shenjtë vuri në dukje rrezikun e “fesë makijazh” – siç e quajti – duke theksuar se udha e Zotit është përvuajtëria.

Jezusi na kërkon ta pranojmë drejtësinë, që vjen prej Zotit

Liria e krishterë vjen nga Jezusi, jo nga veprat tona, reflektoi Papa, duke u nisur nga Letra e Shën Palit drejtuar galatasve, për t’iu kthyer më pas Ungjillit të sotëm, në të cilin Jezusi i tërheq vëmendjen një fariseu, që përqendrohej në dukjen e jo në thelbin e fesë. Ky dijetar i ligjit e pati krikuar, sepse nuk merrte abdes para drekës. Por, Krishti i përgjigjet qartë:

“‘Ju farisenjtë pastroni gotën e pjatën nga jashtë , por brenda përbrenda jeni plot me lakmi e ligësi’. E këtë, Jezusi ua thotë disa herë këtyre njerëzve në Ungjill: ‘Brenda jeni të këqinj, nuk jeni të drejtë, nuk jeni të lirë. Jeni skllevër, sepse nuk e pranoni drejtësinë e Zotit’, që është drejtësia, të cilën na e ka dhënë Jezusi”.

“Jo” fesë sa për t’u dukur

Në një pjesë tjetër ungjillore, vijoi Papa, Jezusi kërkon të lutemi, pa u dukur. Por ndokush nuk kishte aspak turp e lutej e jepte lëmoshë haptazi, që të tjerët ta admironin. Ndërkaq, Zoti na tregon udhën e përvuajtërisë, udhën e lirisë, që na ka dhuruar Ati Qiellor:

“Atë liri të brendshme, atë liri, për të cilën e bëjmë të mirën fshehtazi, pa i rënë borisë, sepse udha e fesë së vërtetë është udhë e Jezusit: përvuajtëria, përulja. E Jezusi, siç u thotë Shën Pali filipianëve, e përuli vetveten, e boshatisi. Është udha e vetme për të larguar prej nesh egoizmin, lakminë, mendjemadhësinë, kotësinë, rendjen pas kësaj bote. Në të kundërt, njerëzit që kritikon Jezusi, ndjekin fenë e makijazhit: duken, bëjnë sikur janë dikushi, por brenda… Jezusi përdor një imazh shumë të fuqishëm për këta njerëz: ‘Ju jeni varre të zbardhura me gëlqere, të bukura nga jashtë, por brenda, plot me kocka të vdekurish e kalbësira”.

T’i lutemi Zotit të mos kemi fe sa për t’u dukur

Secili prej nesh, theksoi më tej Ati i Shenjtë, mund të bëjë të mira pa fund, por nëse nuk i bën me përvuajtërinë, për të cilën flet Jezusi, kjo e mirë nuk vlen, sepse e bëjmë për vete, jo për të tjerët. Shëlbimi i secilit vjen përmes udhës së përvuajtërisë dhe të përuljes, sepse këtë na ka mësuar Jezusi në kryq, përfundoi Papa Françesku:

“Ta lusim Zotin që të mos lodhemi së shkuari në këtë rrugë, të mos lodhemi së kundërshtuari fenë e dukjes, të pamjes së jashtme, të shtirjes… E të ecim në heshtje, duke bërë mirë - falas, ashtu siç e kemi marrë falas lirinë tonë të brendshme. E Hyji e mbrojttë këtë liri të brendshme të të gjithëve. T’ia kërkojmë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.