2016-10-11 16:53:00

Ipeshkvijtë e Evropës dënojnë abuzimet e fesë dhe persekutimin e të krishterëve


Me miratimin e një mesazhi të fortë të dënimit të persekutimeve ndaj të krishterëve në botë dhe të formave të ndryshme të intolerancës e të diskriminimeve që pësojnë të krishterët në Evropë, u mbyll, të dielën e kaluar, asambleja plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkëvnore të Evropës (Ccee). “Shprehim me forcë dënimin tonë të prerë për këto ngjarje që dëmtojnë njeriun e në mënyrë të veçantë lirinë fetare. Janë manifestimet e një shkeljeje irracionale të ushqyera, tepër shpesh, nga evokimi i arsyeve fetare që përbëjnë një abuzim e një fyerje ndaj vetë emrit të Zotit”.

Në vazhdën dhe përkimin me temën e sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve 2018 (“Të rinjtë, feja e shqyrtimi i thirrjes shenjte”), presidentet e Konferencave Ipeshkëvnore të Evropës kanë vendosur t’i orientojnë hapat e ardhshëm të Ccee-së pikërisht ndaj kujdesin baritor për të rinjtë, ndaj fesë së tyre dhe shqyrtimit shpirtëror.

Gjatë asamblesë plenare që u mbajt në Montekarlo, Këshilli i Konferencave Ipeshkëvnore Katolike të Evropës, ka zgjedhur kryesinë e re. President i ri i Këshillit të Konferencave Ipeshkëvnore të Evropës është zgjedhur kardinali italian Angelo Bagnasco, kryeipeshkëv i Gjenova-s, zëvendës-presidentë të të njëjtit organizëm janë zgjedhur kardinali anglez Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminster-it dhe ipeshkvi polak imzot Stanislaw Gadecki, kryeipeshkëv i Poznan-it. Presidenca e re e filloi detyrën menjëherë pas zgjedhjes e do të zgjasë deri më 2021.

Asambleja e ardhshme plenare e ipeshkvijve të Evropës do të mbahet nga 28 shtatori deri më 1 tetor 2017 në Minsk, në Bjellorusi.








All the contents on this site are copyrighted ©.