2016-10-11 00:00:00

8 Dëshmitarët e fesë. Dom Dedë Maçaj. Martiri, ushtar i zhveshur i Krishtit


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në pjesën e tretë të rubrikës sonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Dom Dedë Maçajt. Martiri, ushtar i zhveshur i Krishtit

8. Dom Dedë Maçaj (Mal i Jushit, Shkodër, 05. 02. 1920- Përmet, 28. 03. 1947): i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

 Është kujtuar me qindra herë binomi “Për Fé e Atme”, moto e Kishës katolike shqiptare. Besimtarët e saj lindën, u pagëzuan, u bënë ushtarë të Krishtit në Krezmim, gjithnjë me këtë moto, që u hyri në gjak. E megjithatë erdhi një ditë e zezë kur u vunë në provën e madhe: u burgosën, u torturuan e u pushkatuan si tradhtarë të Atdheut. Sepse flisnin tepër shpesh për një Atdhe qiellor. Që për komunistët ishte bota imperialiste-revizioniste.

Nuk donin ta dinin, kryqëzuesit, se pushtet tokësor e pushtet qiellor shtegtojnë në të njëjtën barkë, thithin të njëjtin ajër, drejtojnë të njëjtin popull: pushtetarët komunistë  kishin pretendimin të sundonin me dhunë, por këtë sundim qytetari e respekton vetëm kur sheh policin. Kurse Kisha sundon me dashuri. Pushtetarët komunistë, me gjyqe, kampe, burgje, internime, pushkatime. Por historia e njerëzimit tregon se  respekti s'u fitua kurrë me plumb. Prandaj atyre, që kanë shpirt me të vërtetë njerëzor, u pëlqen më shumë të ndjekin Krishtin, sesa pushtetarë e politikanë, sepse Krishti nuk e përçudnon shpirtin njerëzor me vese të padenja për të. Përkundrazi, e humanizon e për më tepër, e hyjnizon, e bën të përpiqet për t’i përgjarë Atij, që është i përkryer si Zot e njeri. Prandaj që prej dymijë vjetësh Kisha me lutje, pendime, sakramente, e  edukon njeriun me dashurinë për atdheun tokësor, duke e udhëhequr drejt Atdheut qiellor.

Këtë mision kishte edhe don Dedë Maçaj. Meshtari i ri, i armatosur me kryq e rruzare, u detyrua të rrokte pushkën. Në njërën dorë Kryqin, në tjetrën pushkën?!  Këto po, ishin dy fjalë që nuk mund të pajtoheshin kurrë. Ashtu si flija e elterit, me stërvitjen ushtarake; veladoni i zi, me uniformën e gjelbër.

I lindur në fshatin Mali i Jushit, shkoi të mësonte në Kolegjën Saveriane, në Shkodër, e në Universitetin Urbanian, në Romë, ku u shugurua meshtar, për t’u kthyer menjëherë, si ndihmës i famullitarit i Qytetit të Veriut.

Pas  fillimit të martirizimit, zëvendësoi të parin martir të Kishës Katolike në Shqipëri, dom Ndre Zadejën, famullitar i Sheldisë. Me vetëdijen se po bante hapin e parë drejt martirizmit të vet.

Ishte në Sheldi, në janar të vitit 1947, kur u thirr nën armë e u nis për në Përmet.

Fajtor pa faj, vetëm pas pak ditësh, ushtari-meshtar ngarkohej me një mori fajesh: kthim me vonesë në repart, pa çka se pas një aksidenti automobilistik; sabotazh, veprimtari spiunazhi në favor të Vatikanit... Sesi mund të spiunonte në favor të Vatikanit, nga një skutë e vogël e Shqipërisë së Jugut, ai vetë i spiunuar ditë-natë- këtë mund ta besonin vetëm kryqëzuesit. I kryqëzuari dëgjonte e heshtëte. Në përngjasim të Krishtit para Pilatit. Për të provuar, më pas, torturat më mizore, si tradhtar i atdheut. Derisa e nxorën para regjimentit natën, e aty edhe e pushkatuan, pasi ia zhveshën uniformën e gjelbër. Mbeti më picak se Krishti në kryq, ushtar besnik i të cilit ishte. E si ushtari më besnik i një Atdheu, po aq të zhveshur si ai, që po pushkatohej edhe në emër të Tij. Nuk e di në se ka, në aradhet e martirëve të Kishës Katolike, një figurë të tillë. Ushtar i atdheut tokësor e qiellor njëherësh. Motua “Për Fe e Atdhe” nuk u përgjysmua. Gjaku i tij, simbol gjakut të përbashkët derdhur kundër diktaturës, lidh Gegërinë me Toskërinë, nën shenjën e “Besës e të Fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.