2016-10-10 15:32:00

Papa: Kisha është e thirrur të kujdeset për varfërinë shpirtërore e materiale


“Para syve tanë, çdo ditë, kemi pamje të dhunshme, fytyra të pamëshirshme, zemra të ngurta e të pikëlluara”. Kështu tha Papa Françesku në fjalimin drejtuar Kapitullin të Përgjithshëm të Shoqërisë së Apostullatit Katolik (Pallotinëve), gjatë audiencës së sotme në sallën Klementina të pallatit apostolik, në Vatikan.

“Kemi kaq shumë nevojë për të kujtuar atë Atë Qiellor, zemra e të cilit i kujton të gjithë njerëzit dhe e do shpëtimin e çdo njeriu. Mëshira”, tha Papa Françesku duke cituar dokumentin e hapjes së jubileut aktual të Mëshirës Hyjnore, ‘Misericordiae Vultus’, “është forcë që fiton gjithçka, që i mbush zemrat me dashuri dhe ngushëllon me falje”.

“Ju inkurajoj të vazhdoni me gëzim dhe shpresë në udhën tuaj, duke u impenjuar me gjithë zemër e me të gjitha forcat, që karizma e Themeluesit tuaj, shën Vinçenc Pallotit, të sjell fryte të begatshme edhe në kohën tonë”.

“Ai thoshte shpesh se thirrja në apostullat nuk është e rezervuar vetëm për disa, por u drejtohet të gjithëve, pra njeriut të ‘të çdo shtrese, situate, profesioni, fati, kështu që të gjithë mund të jenë pjesë’ e kësaj veprimtarie njerëzore e shpirtërore.

Bashkimi i Apostullatit Katolik, që është bartës i karizmës së Shën Vinçenc Pallotit, ofron hapësira të shumta dhe hap horizonte të reja duke marr pjesë kështu në misionin e Kishës. Për këtë – nënvizoi Papa Françesku – Pallotinët janë të thirrur të veprojnë me një hov të ri për të zgjuar fenë e për të ndezur sërish dashurinë, posaçërisht te shtresat më të brishta të popullsisë, te ata që janë të varfër shpirtërisht e materialisht”.

Kujtojmë se më 1 tetorin e kaluar kapitulli i rregulltarëve Pallotinë ka zgjedhur indianin atë Jacob Nampudakan për rektor të ri të përgjithshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.