2016-10-09 14:41:00

Papa Françesku shpall kardinal dom Ernest Troshanin së bashku me 16 kardinaj tjerë të ri


Sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në mbarim të Meshës për Jubileun Marjan, Papa Françesku kujtoi popullsitë e Karaibeve, e në mënyrë të veçantë popullsinë e Haitit, goditur rëndë nga uragani Matthew. Pastaj njoftoi për Konçistorin e ri me krijimin e 13 kardinajve të ri prej 11 vendeve dhe 4 kardinajve jo me të drejtën e zgjedhjes, ndër të cilët është kardinali ri shqiptar dom Ernest Simon Troshani, Konçistor që do të kremtohet më 19 nëntor të ardhshëm, në Vatikan, në vigjiljen e përfundimit të Jubileut të  Jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore.

Pra, pas lutjes së  sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku njoftoi se më 19 nëntor, në vigjiljen e mbylljes së Portës së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, do të mbajë një Konçistor për krijimin e 13 Kardinajve të ri prej pesë Kontinenteve. “Prejardhja e tyre nga 11 Kombe – tha Papa – shpreh universalitetin e Kishës që kumton e dëshmon Lajmin e Mirë të Mëshirës së Zotit në çdo skaj të tokës”.

Anëtarëve të Kolegjit Kardinalor do t’i bashkohen edhe dy Kryeipeshkvij, një Ipeshkëv dhe një Prift, i cili dha një dëshmi të qartë të krishterë. Ky Prift është i nderuari dom Ernest Simoni Troshani, nga Kryedioqeza e Shkodër-Pultit.

Vendosja (integrimi) e Kardinajve të ri në dioqezën e Romës, vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot  – shpreh mëtej edhe “lidhjen e pazgjidhshme që ekziston ndërmjet selisë së Pjetrit dhe Kishave të veçanta të përhapura në botë”.

“Të dielën e 20 nëntorit, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, në përfundim të Vitit të Shenjtë të Jashtëzakonshëm të Mëshirës së Zotit, tha akoma Papa Françesku, “ do të bashkëkremtojë Meshën Shenjte me Kardinajt e ri, me Kolegjin Kardinalor, me Kryeipeshkvijtë, me Ipeshkvijtë e me Priftërinjtë”. Këndej, shpalli para botës emrat e kardinajve të ri, ndër të cilët edhe atë të priftit shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani, i cili pati vuajtur e qe torturuar nën diktaturën ateiste të komunizmit. Kalvari i dom Ernestit, nën diktaturën komuniste, nisi natën e Krishtlindjes së vitit 1963, kur vetëm pse ishte prift, u arrestua dhe u burgos nga komunistët, pastaj u fut në një qeli izolimi, u torturua dhe u dënua me vdekje. Pas shumë vuajtjesh e torturash, dënimi tij shndërrohet me njëzetepesë vjet pune të detyrueshme në kampet komuniste, ku nuk iu kursehen as vuajtjet e as torturat. Por dom Ernesti, qëndroi si martir i vërtetë, duke gjetur fuqinë në besimin në Zotin, në gurrën e përjetshme të Meshës – Eukaristisë, të cilën e kremtonte fshehurazi e përmendësh, në gjuhën latine e, kur krijohej mundësia, shpërndante edhe Kungimin e kremtonte edhe Sakramentin e Rrëfimit për të tjerët. Më në fund, më 5 shtator 1990 mbërrini dita e lirisë e dom Ernesti rifilloi misionin e tij meshtarak e ungjillëzues, të cilin, siç ka rrëfyer në disa raste, e së fundi edhe për gazetën Avvenire, në bisedë me gazetarin Mimmo Muolo, e për Programin shqip të Radio Vatikanit, se nuk e kishte ndërpre asnjëherë misionin, “por vetëm e kishte jetuar dhe përjetuar në një kontekst krejt të veçantë”. E akti i parë që dom Ernesti bëri pas çlirimit, ka qenë falja e atyre që e patën akuzuar, dënuar dhe torturuar.

Historia e tmerrshme gjatë periudhës komuniste e dom Ernestit, si ajo e tërë klerit dhe e një pjese jashtëzakonisht të madhe të popullit në Shqipëri, e pati prekur thellë Papën Françesku, gjatë vizitës së tij në Tiranë më 21 shtator 2014, kur Ati Shenjtë dëgjoi personalisht nga dom Ernesti, rrëfimin e atij kalvari të patregueshëm që pati kaluar populli e ai personalisht në ferrin e diktaturës.

Më 20 prillin e kaluar, gjatë Audiencës së Përgjithshme në Vatikan, Papa Françesku e njohu dom Ernestin e deshi t’ia puthte duart, duke u tërhequr ai personalisht nga i njëjti gjest që prifti i moshuar shqiptar deshi të bënte në shenjë të nderimit Papës. Një gjest i veçantë ai i Papës që vërtetonte idenë shpesh herë të pohuar nga Bergoglio: se janë martirë edhe ata që kanë mbijetuar nga persekutimet e djeshme dhe të sotme. “E pikërisht me puthjen e duarve – konfirmoi atë ditë gazetar l’Osservatore Romano – Papa Françesku e priti sot paradite dom Ernest Simoni Troshanin, priftin shqiptar që ka kaluar 28 vjet në burg: Papa Françesku, i prekur thellë në shpirt nga kalvari tij, e përqafoi më 21 shtator 2014 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. E pasi dëgjoi historinë e persekutimit të tij, të Kishës katolike e të popullit mbarë, Papa u përlotë.

Prifti shqiptar dom Ernest Troshani është kardinali dytë i Kishës katolike martire shqiptare, pas kardinalit dom Mikel Koliqit, krijuar kardinal nga Papa Shën Gjon Pali II më 26 nëntor 1994.

Duhet thënë se dom Ernes Troshani nuk ishte në dije për këtë emërim kaq të veçantë, ai e mori lajmin nga televizioni derisa po ndiqte, si çdo të diele, lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën, kur papritmas e dëgjoi emrin e tij, u befasua, mbeti pa fjalë, e falënderoi Zotin e tha se është një emërim që nderon Kishën dhe mbarë popullit shqiptar.

Me emërimet e Kardinajve të ri, në mënyrë të veçantë, Papa dëshiron të vë në pah se Kisha është Kishë e të gjithë popujve e se shprehet në kulturat e ndryshme të kontinenteve të ndryshëm. Është Kisha që përhap tek të gjithë e popujt e kombet Dashurinë dhe Mëshirën e Hyjit të gjallë .








All the contents on this site are copyrighted ©.