2016-10-07 15:14:00

Çmimi Nobel për Paqen i jepet presidentit kolombian Santos


Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen 2016 është presidenti kolombian, Juan Manuel Santos, për marrëveshjen e nënshkruar me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolombisë (FARC). Marrëveshje që, gjithsesi, u hodh poshtë më 2 tetor nga një referendum popullor. Lajmin e dha në Oslo, Komiteti norvegjez për Çmimin Nobel. Në motivacion përmenden edhe “populli kolombian” dhe “të gjitha palët, që kontribuan në procesin e paqes”, ndër të cilat janë pa dyshim, Selia e Shenjtë dhe Papa Françesku.

Kujtojmë se lufta civile 50-vjeçare u kushtoi jetën së paku 220 mijë vetëve. Komiteti që ia caktoi çmimin presidentit Santos sqaron se “ky çmim duhet parë si homazh për popullin kolombian, i cili, pavarësisht nga vështirësitë dhe abuzimet e mëdha, nuk e humbi kurrë shpresën për një paqe të drejtë”. Marrëveshja u nënshkrua në Cartagena, më 26 shtator, por 50,2% e votuesve të referendumit të 2 tetorit, e hodhën atë poshtë. Megjithatë, në motivacionet e Çmimit argumentohet se pavarësisht se shumica “votoi kundër në referendum, kjo nuk do të thotë se procesit të paqes i ka ardhur fundi. Referendumi nuk hodhi poshtë dëshirën për paqe, por marrëveshjen në fjalë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.