2016-10-07 14:59:00

Papa, oblatëve të Marisë: Kisha të jetë shtëpi e hapur për të gjithë


Të kërkojmë përgjigje të guximshme për pyetjet e kohës sonë, në mënyrë që t’u shërbejmë edhe “të varfërve të rinj”. Kjo qe ftesa e Papës Françesku për 100 anëtarët e Kapitullit të Përgjithshëm të Misionarëve Oblatë të Zojës së Papërlyer, të cilët i priti sot paradite në Vatikan. Këtë vit kremtohet 200-vjetori i themelimit të Kongregatës nga Shën Eugjen de Mazenod. Kujtojmë se edhe në trevat shqiptare shërbejnë prej kohësh oblatë dhe oblate të kongregatave të ndryshme.

 Duhet të punojmë për një Kishë të të gjithëve, duke mirëpritur e shoqëruar njerëzit, nënvizoi Papa, i cili përmendi punën e jashtëzakonshme të oblatëve në fshatrat e Provencës, në periudhën kur revolucioni francez po përpiqej ta shuante fenë në zemrën e të varfërve e po persekutonte edhe shumë anëtarë të klerit. Vërtet, Kongregata lindi në vitin 1816 me nismën e Shën Eugjenit de Mazenod, i cili ishte kthyer në Francë, pasi ishte detyruar të largohej pikërisht për shkak të revolucionit francez. Pas kthimit, u shugurua meshtar e për t’i bërë ballë braktisjes së praktikës së fesë në zonat fshatare të Provencës, së bashku me disa shokë, organizoi predikimin nëpër fusha e ara, duke përdorur madje dialektin provencal, që ta kuptonin edhe analfabetët. Në pak dhjetëvjeçarë, Kongregata u përhap në pesë kontinentet, vërejti Ati i Shenjtë.

Të punojmë për një Kishë të gjithanshme

Dy, karakteristikat e themeluesit, që vuri në dukje Papa Françesku: “Deshi Krishtin me pasion dhe Kishën pa kushte”. Ati i Shenjtë u bëri thirrje të pranishmëve ta përtërijnë këtë dashuri të dyfishtë. Vërtet, Oblatët e Zojës së Papërlyer lindën nga një përvojë mëshire përjetuar nga shën Eugjeni një të Premte të Madhe, para Krishtit të kryqëzuar. Duke u nisur nga kjo, Ati i Shenjtë shpjegoi objektivin e Kongregatës në botën e sotme:

“Kisha po përjeton, së bashku me mbarë botën, një epokë shndërrimesh të mëdha, në fusha nga më të ndryshme. Ka nevojë për njerëz, që mbajnë në zemër të njëjtën dashuri për Jezu Krishtin, që banonte në zemrën e të riut Eugjen de Mazenod dhe, të njëjtën dashuri pa kushte për Kishën, e cila përpiqet të jetë gjithnjë e më tepër, shtëpi e hapur. Është e rëndësishme të punojmë për një Kishë të të gjithëve, një Kishë të gatshme për të mirëpritur e për të shoqëruar!”

Çdo tokë është “tokë misioni”

Historia e Kongregatës, vërejti Papa, është ajo e shumë njerëzve të shuguruar, që e flijuan jetën “për të arritur në toka të largëta, ku kishte akoma ‘dele pa bari’”, duke dëshmuar edhe me gjak dashurinë e madhe për Krishtin e për Kishën. Ky mision është i vlefshëm edhe sot:

“Sot, çdo tokë është ‘tokë misioni’, çdo përmasë e njerëzores është ‘tokë misioni’, që pret kumtimin e Ungjillit. Papa Piu XI ju quajti ‘specialistët e misioneve të vështira’. Fusha e misionit, sot, duket se zgjerohet çdo ditë, duke përfshirë gjithnjë të varfër të rinj, burra e gra varfanjakë me fytyrën e Krishtit, që kërkojnë ndihmë, ngushëllim, shpresë, në situatat më të dëshpëruara të jetës. Prandaj, ka nevojë për ju, për guximin tuaj misionar, për gatishmërinë që t’ju çoni të gjithëve Lajmin e Mirë, i cili liron e ngushëllon”.

Të gjejmë përgjigje të guximshme për pyetjet e njeriut të sotëm

Një mision, që duhet bërë me gëzimin e Ungjillit, u theksoi Papa oblatëve. Ai duhet të gjejë përgjigje të reja e të jetë pikënisje për të takuar të varfërit e rinj:

“Duhet të kërkojmë përgjigje të përshtatshme, ungjillore e të guximshme, për pyetjet e burrave dhe grave të kohës sonë. Për këtë, duhet ta shohim me mirënjohje të kaluarën, të jetojmë të tashmen me pasion dhe të përqafojmë të ardhmen me shpresë, pa u çkurajuar nga vështirësitë, që hasni në mision, por të fortë nga besnikëria ndaj thirrjes suaj rregulltare e misionare”.

Të ndihmuar, përfundoi Ati i Shenjtë, nga Zoja e Papërlyer: emër, që shën Eugjeni e pati quajtur “pasaportë për Qiellin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.