Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik të Kishës. Liturgjia e kësaj së diele na propozon temën e fesë, të mrekullisë, të mirënjohjes e të falënderimit tonë ndaj Atij Hyjnor, ndaj Bamirësit tonë më të madh.
Më hollësisht, programin tonë kushtuar liturgjisë së e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit “C”, mund ta dëgjoni edhe këtu..
Pra, edhe këtë të diele, Feja është në qendër të leximeve biblike të liturgjisë së Fjalës së Hyjit. “Feja jote të shpëtoi”, ky është mesazhi që jehon në Ungjillin e kësaj së diele, mesazh që bënë të shpërthejë në shpirtin e besimtarit falënderimi i mirënjohës ndaj Zotit. Shpëtimi i përjetshëm, vërtetë, është dhuratë e fituar e jo arritje njerëzore.
Mirënjohja është qendra e çdo eukaristie. Këtë e shpjegon mirë lutja e hyrjes së Meshës të kësaj së diele nga Meshari romak, e cila na bënë të lutemi kështu: “Çdo vëlla në këtë ditë të shenjtë të kthehet për të të lavdëruar për dhuratën e fesë, o Zot!”.
Historia e Naamanit, në leximin e parë, dëshmon sjelljen e mirënjohjes ndaj Hyjit, falënderimin (mirënjohje) që shprehet me një rrëfim të fesë (besimit): “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael!”.
Arsyeja e falënderimit është besnikëria e Zotit. Leximi dytë i kësaj së diele është shumë i qartë lidhur me këtë: “Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten!”.
E Ungjilli i kësaj së diele, që na tregon takimin e të gërbulurve me Jezusin dhe shërimi tyre, përqendrohet pikërisht mbi mirënjohjen e vetëm njërit prej të shëruarve, të cilit Jezusi i thotë: “Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!”. Një i vetëm prej dhjetë të shëruarve, edhe ai i huaj (një Samaritanas), u kthye për të falënderuar bamirësin e vet, Krishtin Zot. Ai, samaritani, bëhet për ne shembull feje e dashurie.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 2 Mbr 5, 14-17
Naamani është një gjeneral sirian, armik i Izraelit, është i gërbulur, dhe askush
nuk arriti ta shërojë. Një skllave hebraike i sugjeron t’i drejtohet një profeti hebre.
Naamani pranon të paguajë dhe të poshtërohet përpara një armiku. Profeti Elize nuk
pretendon asgjë prej tij dhe e urdhëron të lahet në Jordan. Është e kotë të bësh shumë
gjëra për të qenë një besimtar i vërtetë: mjafton të mësosh të pranosh dhuratat.
Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit,
iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua. Atëherë me
mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani
po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano
një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.” Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit,
kujt i shërbej, assesi s’i marr.” Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi
assesi. I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr
unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk
do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.” Fjala e
Zotit.
Psalmi 98
Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit
---- ---- ----
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
---- ---- ----
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.
---- ---- ----
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
---- ---- ----
Leximi i dytë 2 Tim 2, 8-13
Në jetë është e nevojshme të luftosh, Ungjilli mund të të dërgojë në burg. Fjala e
lirë e Jezusit të kryqëzuar e ka dërguar Palin në burg dhe ka zbuluar fuqinë e saj
të vërtetë. Një mesazh, po të mos ngjallte kundërshtime nuk do të ishte i vërtetë,
por do të ishte një tradhti. Jezu Krishti është arsyeja jonë e vërtetë për të jetuar
dhe për të shpresuar, sepse ka vdekur për ne.
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit
simbas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur
të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi
për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin
Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm
bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të
do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i
jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten! Fjala
e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
Jemi fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë; shpallni vepra e madhërueshme
të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Aleluja.
Ungjilli Lk 17, 11-19
Nëntë të gërbulurit e parë të shëruar prej Jezusit, të shqetësuar për t’iu bindur
përshkrimit të ligjeve për të vërtetuar shërimin e tyre, kanë preferuar më shumë të
binden sesa të falënderojnë atë që i ka shëruar. I dhjeti i gërbulur përkundrazi,
nuk i nënshtrohet provimit të ligjit dhe preferon lirinë për të falënderuar. Besimi
lind nga njohja e dhuratës së Hyjit dhe shprehet nëpërmjet një falënderimi të pafund.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat
i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: “Jezus,
Mësues, ki dhimbë për ne!” Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi
që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra
përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi
mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u
gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko
– i tha – feja jote të shpëtoi!” Fjala e Zotit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |