2016-10-07 17:42:00

Jubileu marian në Romë, me Papën Françesku


Papa Françesku kremton të dielën Meshën dhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e besimtarëve, që nesër e pasnesër, vijnë në Romë, për Jubileun Marian, në kuadrin e Vitit Shenjt të Mëshirës.

Që të shtunën, ata mblidhen në Vatikan, në orën 15.30, për të dëgjuar dëshmitë e alternuara nga çaste këngësh e lutjesh. Në orën 17.30, me besimtarët bashkohet edhe Papa Françesku, i cili merr pjesë në mbrëmjen e lutjes kushtuar Zojës, Nënë e vërtetë e Mëshirës.

Ati i Shenjtë nuk harron kurrë të verë në dukje se Shën Maria është nëna e dhimbshme, që njohu vuajtje e mjerime, por është edhe nëna e Dashurisë, Nëna e Krishtit, burim i gëzimit për çdo të krishterë. Buzëqeshja e saj prej motre, si edhe fakti se e njeh mirë vuajtjen, e bëjnë të ketë një pushtet të jashtëzakonshëm për të na nxitur të hyjmë në misterin e në planin e Trinisë Shenjte.

Në fillim të Besëlidhjes së Re, Maria u ftua të gëzohej në “Zotin, shpëtimtarin e saj”: ajo është besimtarja, që e pranoi Zotin kur u përkul për të prekur njerëzimin me gjestin e Tij të dashurisë së vazhdueshme. E ngjitur në qiell, në lavdinë e Hyjit, gëzimi i saj ritingëllon përmes “Magnificat”, Këngës që i lartoi Zotit për mrekullitë, që bëri në të.

Zoti, i cili qe tejet i mëshirshëm me Marinë, ashtu siç pati qenë me etërit dhe nënat e Izraelit, është dhe do të jetë i tillë me të gjithë ata, që i japin formë “botës së përmbysur e të bekuar”, ku, në Krishtin, të përvujtët lartohen dhe të uriturit mbushen me të mira, në emër të kryqit e të ringjalljes së Birit të Zotit.

Kisha, ashtu siç ka thënë gjithnjë Papa, të mos lodhet kurrë së ofruari mëshirë e të jetë gjithnjë e durueshme kur shqyrton e fal; të bëhet gjithnjë zë i çdo burri e gruaje e të përsërisë me besim e pa pushim: “Kujtohu o Zot për mëshirën dhe për dashurinë Tënde, e cila është dje, sot e përgjithmonë” (MV, 25). Mëshirë, që ju tregua fillimisht Marisë, Nënës së Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.