2016-10-06 12:30:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Lidia


Të dashur dëgjues, rifillojmë sot, aty ku e lamë, rubrikën tonë të së enjtes, që këtë vit ia kemi kushtuar Jubileut të Mëshirës. Vërtet, para se të transmetonim ciklin e emisioneve kushtuar Nënë Terezës, me rastin e shenjtërimit të saj, po trajtonim veprat e mëshirës, si në traditën hebraike, ashtu edhe në atë të krishterë. Pas ndërprerjes, që na u duk e arsyeshme për ta nderuar shenjten shqiptare të bamirësisë, vijojmë sot me një shembull të veprës së mëshirës: të përbujmë shtegtarët. Është historia e Lidies e na tregon një lloj mikpritjeje, që kthehet në veprim.

Në Filipi, qytet i rëndësishëm i Maqedonisë, kishte filluar e shtuna. Një grua dilte nga qyteti me hapa të shpejtë, duke u drejtuar në një vend pranë lumit, për një takim lutjeje. Në atë qytet, nuk kishte sinagogë, prandaj, të shtunave, gratë shkonin përgjatë lumit për t’u lutur e për të lexuar Torah (Shkrimi i Shenjtë), sepse ishte vend rituali e simbolik për shkak të ujit të rrjedhshëm, që përdorej për larje e purifikim.

Gruaja, e cila quhej Lidi, u përkiste atyre, që e “kanë frikën e Tënzot”, siç thirreshin paganët e kthyer në besimin e Zotit të Izraelit. Tregtare e pëlhurës së purpurtë, Lidia kishte një pozitë shoqërore dhe ekonomike me rëndësi në qytet. Nga Tiatira, qyteti i saj i lindjes, që ndodhet në Azinë e Vogël, importonte purpur, pëlhurë shumë e kushtueshme, që mund ta përdornin vetëm të pasurit dhe mbretërit. Ishte grua e suksesshme, sepse ishte mendjemprehtë e me inteligjencë të madhe, të cilën e kishte vënë në punë me entuziazëm. Produktet e saj kërkoheshin gjithandej dhe veprimtaria e saj e lidhte me njerëz të rëndësishëm. Jetonte në një shtëpi të bukur, bashkë me familjen e shërbëtorët.

Është për t’u çuditur që punët nuk e kishin penguar të kujdesej edhe për shpirtin: e kishte veshin të hapur për të dëgjuar dhe zemrën e butë për ta lënë të veprojë Hirin Hyjnor. Atë ditë, ndërsa gratë ishin mbledhur në lutje, mbërriti Pali me Timoteun, Silën dhe Lukën. Pali filloi të predikojë, duke folur për Zotin e Abrahamit, të Isakut e të Jakobit, i cili kishte dërguar birin e vet Jezu Krishtin për shëlbimin e njeriut, për ta zhdukur humnerën e hapur nga mëkati. Plot zjarr, kumtonte Ngjalljen e Krishtit dhe dhuratën e jetës së amshuar për ata, që do të pagëzoheshin. Lidia dëgjonte dhe “Zoti ia hapi zemrën e pranoi çka thoshte Pali” (Vap 16,14), aq sa në përfundim të fjalës së Apostullit, kërkoi pagëzimin për të e për familjen e saj. Lidia, mirënjohëse për gëzimin që provoi në shpirt nga fjalët e Palit e nga hiri i Pagëzimit, e luti me këmbëngulje, madje gati e detyroi të pranonte mikpritjen e saj së bashku me gjithë të tjerët, që kishin ardhur me të. Me entuziazmin e saj, Lidia çoi drejt Krishtit shumë njerëz e falë saj, numri i të krishterëve u rrit shumë, aq sa aty, në atë vend, lindi “kisha” e parë themeluar në Evropë nga Pali i Tarsit.

 Lidia ungjillëzonte dhe punonte, duke e vënë pasurinë e vet në shërbim të Zotit, për lavdinë e Tij. Në letrën që Pali i shkroi bashkësisë së Filipit, ndërsa ishte i burgosur në Romë, kujtoi gratë, që patën punuar intensivisht me të në përhapjen e Ungjillit. Ndoshta, e kishte fjalën pikërisht për Lidinë dhe për të tjerat, që e imituan.

Ajo është imazhi i veprës së Zotit në njeriun, që e pranon kumtin e pastaj, ia hap zemrën mikpritjes. Mikpritje, e cila nënkupton edhe dëgjimin dhe pranimin e mesazhit, që kumtojnë lajmëtarët. Kjo do të thotë t’i përbuash ata si profetë, njerëz të drejtë e dishepuj.








All the contents on this site are copyrighted ©.