2016-10-06 15:16:00

Shën Nënë Tereza, një Nënë për të tjerët. Konferencë për shenjten shqiptare në Zagreb.


Në kujtim të shpalljes së Nënë Terezës SHENJTE, nga Papa Françesku, më 4 shtatorin e kaluar në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, këtyre ditëve, në Zagreb të Kroacisë, u mbajt një konferencë, në shenjë frymëzimi e mirënjohjeje drejtuar Zotit, për këtë dhuratë të jashtëzakonshme për Kishën, kombin shqiptar e botën mbarë.

Konferenca kushtuar Shën Nënë Terezës u mbajt nën patronatin e deputetes së parlamentit Kroat, znj. Ermina Lekaj Përlaskaj, në bashkëpunim me Universitetin katolik Kroat e Misionin katolik shqiptar në Kroaci. Më hollësisht nga Zagrebi të ndjekim shërbimin e motër Olda Dulaj..

Në kujtim të shpalljes së Nënë Terezës SHENJTE

KONFERENCË NË ZAGREB TË KROACISË

Shenjtërimi i Nënë Terezës po përjetohet me ndjenja falënderimi dhe është nxitje, motiv e frymëzim i pashtershëm për ta njohur atë më mirë, për t'iu afruar shenjtërisë duke kërkuar hir nga shenjtëria e saj.

Në kujtim të Nënë Terezës së Kalkutës dhe shenjtërimit të saj, më 30. Shtator 2016. në Zagreb u mbajt Konferencë nën patronatin e znj. Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete në parlamentin Kroat, në bashkëpunim me Universitetin katolik Kroat dhe Misionin katolik shqiptar në Kroaci. Më këtë rast, salla „I lumturi Alojzije Stepinac“ ishte e mbushur përplot me mysafirë, ndër të cilët ishte edhe: ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, krye bashkiaku i Zagrebit, z. Bandić, ministrja e për çështje sociale dhe të rinj në Kroaci, znj. Juretić, deputetë tjerë nga parlamenti Kroat, ambasadorë e përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Kroaci nga vende të ndryshme si nga: India, Shqipëria, Maqedonia e Kosova. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe Vikari Gjeneral i arqipeshkvisë së Tivarit dhe famullitari i Tuzi, p. Pashko Gojçaj, misionari i Kishës Ortodokse të Maqedonisë në Kroaci, pastaj përfaqësues të Unionit shqiptar dhe të gjitha shoqatave të tjera në Kroaci, meshtarë e motra rregulltare e mysafirë tjerë.

Të gjithë të pranishmit fillimisht, në emër të Misionit katolik shqiptar i përshëndeti dom Kristë Gjergji, pastaj deputetja shqiptare znj. Ermina Lekaj Përlaskaj – edhe në emër të Universiteti Katolik Kroat, prof. dr. Željko Tanjić, bashkëorganizator dhe nikoqir me këtë rast.

Konferenca vazhdoi me dëshmitë personale mbi Nënën Terezë dhe kumtesat e rastit. Mbi figurën dhe veprën e Nënë Terezës, mbi përjetimet personale me të, folën: Misionare e Dashurisë, bashkëmotra e saj, motër Ivana Karavanić, e cila shpalosi ecjen e saj shpirtërore, gjatë përcjelljes së Themelueses dhe Nënës së Kongregatës, Ganxhe Bojaxhiut. Ndërsa mons. Mijo Gabrić, dha një dëshmi të veçantë e prekëse si shoqërues e bashkëpunëtor i ngushtë i Nënë Terezës, mes tjerash edhe në hapjen e shtëpive të Misionareve të Dashurisë për të varfrit në Kroaci e në vende tjera. Poashtu, dr. Drago Štambuk, ambasador i parë i Republikës së Kroacisë në Indi, i cili foli nga këndvështrimi i tij jo vetëm si diplomat por edhe si mjek dhe i devotshëm i saj.

Mbi Nënën Terezë, në kumtesën me temën: “Nënë Tereza – një jetë për të tjerët” foli edhe dom Pren Kola, misionar në Aarau të Zvicrës. Ai mes tjerash tha se Nënë Tereza zgjodhi rrugën e thjeshtësisë, të punës, të heshtjes e të lutjes kundruese. Kushdo që e ka përcjell punën dhe jetën e saj, ka vërejtur se ajo mbrojti jetën, madje, ajo u bë jetë për të tjerët.

Në këtë konferencë u lexua edhe kumtesa e prof. dr. Anton Nikë Berishës, profesor në Universitetin e Kalabrisë në Itali, me temën “Shenjtërimi në jetën e Nënës Terezë”. Ai mes tjerash shkruan: Përcaktimi i Nënës Terezë dhe i Misionareve të Dashurisë ishte i qenësishëm jo vetëm për të ndihmuar e për t’u kujdesur për të varfrit e të mjerët, po para së gjithash për t’i dashur ata me dashurinë hyjnore dhe për t’i hyjnuar ata, për të mbërritur tek zemra e tyre dhe për t’u njësuar me varfërinë e vuajtjet e tyre.

Ndërkaq, m. Ollga Dulaj në këtë konferencë foli mbi amësinë në figurën e Nënë Terezës, e cila nisi që nga ambienti i saj familjar, nga mësimet e nënë Drane, nga shembullin i përsosur dhe ndihma e vazhdueshme që gjeti në lutjet e devotshme e në ndërmjetësimin e Nënës Qiellore, Virgjërës Mari, Zojës së Bekuar. S’ka dyshim, theksoi motër Olga, se burimi, qëllimi i amësisë dhe i shenjtërisë së saj qëndron pikërisht në Amësinë Hyjnore që u Mishërua në Jezu Krishtin, në të cilin u dëftua në mënyrë konkrete ndaj njeriut, ndaj çdo njeriu.

Me shpalljen Shenjtëreshë të Nënë Terezës – Nënës të të varfërve, nga Papa Françesku, në këtë vit Jubilar të Mëshirës Hyjnor, Zoti e vizitoi tokën, na vizitoi ne e na ledhatoi edhe njëherë me dorën e vet, në Ganxhe Bojaxhiun, në dorën amnore, pra jo vetëm ne shqiptarët, por gjithë botën.

Të ndriçuar nga kjo figurë amnore e Shën Terezës nga Kalkuta, me gëzim e falënderim për këtë përqafim amnor të Atit Qiellor përmes Shenjtëreshës – dhuratë tokës nga qielli, lutemi që të na dhurojë hirin e dëshmitarëve të denjë të dashurisë së Tij, pikërisht me daljen tonë nga vetvetja në periferitë e jetës, e kështu një ditë të takohemi në prehrin amnor të Atit, të cili i qoftë lavdi nëpër Jezu Krishtin, në Shpirtin Shenjt – për të gjithë shekuj të shekujve.

Konferenca u përmbyll me disa pika muzikore, nga kompozitorë: Schubert, Vinçenc Gjini dhe Hndel, interpretuar nga kori Cantores Sancti Marci.

Për Radio Vatikanin, Zagreb, më 06. 10. 2016.

m. Ollga Dulaj








All the contents on this site are copyrighted ©.