2016-10-06 14:44:00

Papa Françesku anglikanëve: ekumenizmi është përherë një pasuri


Papa Françesku priti sot paradite, në Sallën e Papëve në Vatikan, Kryeipeshkvin e Kantërbërit Justin Welby, bashkë me Primatët e Provincave të Kishës Anglikane, pas kremtimit, së bashku, të lutjeve të Mbrëmësores, dje pasdite në Kishën e Shenjtorëve Andreut e Gregorit në Celio, në Romë, paraprirë nga firma e Deklaratës së përbashkët.

Lutja, dëshmia, misioni.  Këto janë tri pikat kryesore të fjalimit të Papës Françesku, i cili vuri theksin mbi rezultatin e fryteve të dialogut ekumenik gjatë 50 vjetëve të fundit, pas takimit historik ndërmjet të Lumit Papës Pali VI e Kryeipeshkvit Michael Ramsey.

Dialogu ekumenik, tha Ati Shenjtë Bergoglio, nuk është kurrë varfëri por gjithmonë është një pasuri. Prandaj, mos të lodhemi kurrë duke i kërkuar me ngulm Zotit dhuratën e unitetit”. “Ta vlerësojmë këtë thesar që kemi trashëguar, nënvizoi Papa Françesku, e mos të harrojmë se jemi çdo ditë të thirrur prej Zotit për t’i dhuruar botës, siç ka kërkuar Jezusi, dëshminë e dashurisë e të bashkimit ndërmjet nesh”.

Në përfundim të audiencës, Papa Françesku u kërkoi anglikanëve të lusin së bashku uratën e Atë Ynë-s, si shenjë e vullnetit të përbashkët “për t’i kërkuar Zotit hirin e rritjes në lutje, forcën për të dalë nga vetvetja e nga ambientet tona, për të bartur e transmetuar dashurinë e tij të mëshirshme në botën e etur për paqe. Të ndihmojmë njëri-tjetrin – tha Papa - për ta vënë në qendër kërkesën e Ungjillit e të shpenzohemi konkretisht në këtë mision”.

Nga ana tij, primati anglikan Welby kërkoi që së bashku t’u çohet Ungjilli të gjithëve njerëzve, posaçërisht atyre që vuajnë në realitetin bashkëkohor. Kryeipeshkvi i Kantërbërit theksoi se “Jezusi ka ecur dhe ecën para nesh. Ai na thërret të jemi guximtarë. Të ecim sa më afër njëri tjetrit, së bashku, kështu që bota të sheh jetën dhe energjinë, përcaktimin, gëzimin dhe shpresën në adhurim të Zotit, misionin e dëshminë tonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.