2016-10-06 14:29:00

Papa: doktrinat magjepsin, por vetëm Shpirti Shenjt ndihmon


Doktrina e vërtetë nuk është respektimi i ngurtë i Ligjit, që na magjeps si të gjitha ideologjitë, por është zbulesa e Zotit, që është gjithnjë i gatshëm t’i mirëpresë ata, që ia hapin zemrën Shpirtit Shenjt: kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Gabimi i galatasve

Në leximet e liturgjisë së sotme flitet për Shpirtin Shenjt, për këtë dhuratë të madhe të Atit Qiellor, që i jep forcë Kishës të dalë nga vetvetja e të shkojë rrugëve të botës deri në fundin e kohrave. Para Shpirtit Shenjt mund të mbajmë tre qëndrime, tha Papa. I pari është ai, për të cilin Shën Pali Apostull kritikon galatasit, që besonin se shfajësoheshin para Zotit duke ndjekur rregullat e Ligjit e jo përmes Jezusit, “që i jep kuptim Ligjit”. Ishin tepër të ngurtë:

“E kjo rendje pas Ligjit e injoron Shpirtin Shenjt. Nuk e lë forcën e shëlbimit të Krishtit të vijë së bashku me Shpirtin Shenjt. …Është e vërtetë kemi Urdhërimet e Tënzot e duhet t’i ndjekim, por gjithnjë duke u nisur nga hiri i kësaj dhurate të madhe, që na bëri Ati Qiellor: Birin e Tij dhe dhuratën e Shpirtit Shenjt. E kështu kuptohet Ligji. Por të mos e reduktojmë Shpirtin Shenjt dhe Birin vetëm në Ligje. Ky ishte problemi i këtyre njerëzve: e injoronin Shpirtin Shenjt e nuk dinin të shkonin përpara. Të mbyllur, të ngërthyer në receta: duhet bërë kjo, duhet bërë ajo tjetra. Nganjëherë, edhe ne na ndodh të biem në këtë tundim”.

Ekspertët e Ligjit, pohoi Papa, të mahnisin me ide:

“Sepse ideologjitë të magjepsin; e kështu, Pali fillon që këtu: ‘Galatas pa mend, kush ju ka magjepsur?’ Ata që predikojnë ideologjitë: gjithçka është e drejtë[sipas tyre]! Magjepsin: gjithça e qartë [ta pret mendja]! Por kini kujdes, zbulesa e Zotit nuk është e qartë eh? Zbulesa e Zotit bëhet më e qartë çdo ditë më shumë, gjithnjë në udhë. …Është Ai, por duhet ta gjejmë e ta kuptojmë udhës. E ata, që mendojnë se e kanë gjithë të vërtetën në dorë nuk janë thjesht injorantë, Pali thotë më shumë: ‘Pa mend, qesharakë!’, sepse kanë lejuar t’i magjepsin”.

Të mos e trishtojmë Shpirtin Shenjt

Qëndrimi i dytë, që duhet shmangur, është kur e trishtojmë Shpirtin Shenjt, sepse nuk e lejojmë të na frymëzojë, të na nxisë në jetën e krishterë, por u përmbahemi rregullave të ngurta të Ligjit, pa i zhvilluar më tej. Bëhemi kështu të krishterë mediokër, sepse Shpirti nuk mund të bëjë vepra të mëdha në ne.

Hapja e zemrës ndaj Shpirtit Shenjt

Qëndrimi i tretë, që rekomandon Papa Françesku, është hapja e zemrës ndaj Shpirtit Shenjt, ashtu siç bënë apostujt me guxim, në Ditën e Rrëshajve. Për t’i kuptuar e për t’i pranuar fjalët e Krishtit, nënvizoi Papa, duhet ta lemë Shpirtin Shenjt të na nxitë si të ishim një barkë me vela të ngritura, që e shtyn era gjithnjë përpara, pa u ndalur. Duhet të lutemi, që kjo të ndodhë:

“Ne mund ta pyesim veten sot, në një çast të ditës, a e injoroj unë Shpirtin Shenjt? A është e mjaftueshme të shkoj në meshë të dielën, të bëj këtë apo atë? Së dyti: a është e vakët jeta ime, a jetoj përgjysëm duke e trishtuar Shpirtin Shenjt e duke mos e lënë forcën e tij të hyjë brenda meje? Apo, më në fund, jeta ime është lutje e vazhdueshme për t’ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, që të më çojë përpara me gëzimin e Ungjillit, duke më bërë ta kuptoj doktrinën e Jezusit, doktrinën e vërtetë, atë që nuk magjeps, atë që nuk më bën të marrë? Le të na bëjë të gjithëve të kuptojmë ku i kemi dobësitë, që e trishtojnë; e të na çojë përpara, të çojë edhe emrin e Jezusit tek të tjerët, duke treguar udhën e shpëtimit. Zoti na dhashtë këtë hir: t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, që të mos bëhemi qesharakë, të mos magjepsemi e as të kthehemi në burra e gra, që e trishtojnë Shpirtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.