2016-10-05 16:14:00

Papa: anglikanëve, të jemi nismëtarë të guximshëm të ekumenizmit konkret


U kremtuan lutjet e Mbrëmësore të Papës Françesku në praninë e Primatit anglikan Welby, me rastin e përkujtimit të 50-të vjetorit të takimit ndërmjet të Lumit Pali VI dhe kryeipeshkvit të asaj kohe të Kantërbërit, Michel Rmasey,  Primatit të bashkimit Anglikan.

Kështu, me këtë qëllim, sot pasdite, në ora 18, në Kishën e shën Andreut e shën Gregorit al Celio në Romë, u  kremtuan lutjet Mbrëmësore kryesuar nga Papa Françesku me pjesëmarrjen e kryeipeshkvit të Kantërbërit, Primatit të Bashkimit Anglikan, Justin Welbu dhe të antarëve të Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolik.

Në marsin e vitit 1966 “historia e marrëdhënieve ndërmjet anglikanëve e katolikëve ndryshonte vendosmërisht drejtimin”, shkruan l’Osservatore Romano, edhe me firmën e deklaratës së parë të përbashkët, që nisi “një dialog teologjik të dendur”. Dialogu u rrit më tej me themelimin, më 1969, të Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolik.

Në fjalën e tij, gjatë Mbrëmësores, Papa Françesku përmendi imazhin elokuent, me të cilin “profeti Ezekiel e përshkruan Zotin si Bari që mbledh delet e veta të shpërndara. Ato qenë shpërndarë njëra prej tjetrës “në ditët vrenjtura e plot mjegull” (Ez 34,12). Sonte - tha Papa - duket sikur Zoti na drejton, përmes profetit, një mesazh të dyfishtë,.

Në rend të parë mesazhin e unitetit: Hyj, si Bari, e do bashkimin në popullin e vet dhe dëshiron që sidomos Barinjtë të shpenzohet për këtë qëllim. Në rend të dytë, na tregohet motivi i ndarjes së grigjës: në ditët me re e me mjegull, e kemi humbur para sysh vëllain që e kishim pranë, jemi bërë të paaftë për të njohur njëri tjetrin e për t’u gëzuar për dhuratat e hiret që secili ka marrë.

Kjo ka ndodhur sepse përreth nesh është shtuar mjegulla e mosmarrëveshjes dhe e dyshimit e, sidomos me ne, retë e errëta të mosmarrëveshjeve e të kundërshtive, janë formuar shpesh për shkaqe historike e kulturore e jo vetëm për motive teologjike”, tha Papa.

“Mirëpo sot kemi sigurinë dhe bindjen se Zoti do që të banojë ndër ne, pikërisht në ne që jemi grigja e tij dhe thesari tij i çmueshëm. Ai është Bariu i palodhur, që vazhdon të veprojë (khr Gjn 5,17), duke na qortuar e ftuar të ecim drejt bashkimit sa më të madh, i cili mund të mbërrihet vetëm me ndihmën e hirit të tij. Prandaj, kemi besim, sepse në ne, megjithëse jemi enë argjile (2Kor 4,7), Zoti do të derdhë hirin e vet. Ai është i bindur se ne mund të kalojmë nga mjegulla në dritë, nga shpërndarja në unitet, nga mangësia në plotësi. Kjo udhë e bashkimit është përshkuar nga të gjithë të krishterët e ky është edhe misioni juaj i veçantë, si Barinj të Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolike për bashkimin e për misionin e Kishës”, tha Papa.

“Është një thirrje e madhe ajo që sot na fton të punojmë si vegla bashkimi përherë e kudo. Kjo do të thotë se duhet të promovojmë në të njëjtën kohë unitetin e familjes së krishterë dhe unitetin e familjes njerëzore. Këto dy fusha – tha Papa - nuk janë në kundërshtim njëra me tjetrën, por pasurohet anasjelltas. Kur ne, si dishepuj të Jezusit, ofrojmë shërbimin tonë në mënyrë të përbashkët, njëri pranë tjetrin, kur promovojmë hapjen dhe takimin, duke fituar mbi tundimin e mbylljes e të izolimit, ne veprojmë njëkohësisht si në favor të bashkimit ndërmjet të krishterëve e po kështu edhe në atë të familjes njerëzore. Kështu e pranojmë njëri tjetrin si vëllezër që u përkasin traditave të ndryshme, por që janë të nxitur nga i njëjti Ungjill, të ndërmarrin të njëjtin mision në botë. Atëherë, do të ishte gjithmonë mirë, që para se të ndërmarrim çfarëdo aktiviteti, të mund të bënim këtë pyetje: pse mos ta bëjmë së bashku me vëllezërit tanë anglikanë?; a mund ta dëshmojmë Jezusin duke vepruar së bashku me vëllezërit tanë katolikë?  

Pikërisht duke i ndarë së bashku e konkretisht vështirësitë dhe gëzimet e misionit – tha Papa - ne afrohemi njëri ndaj tjetri. Zoti na ndihmoftë të jemi nismëtar të një ekumenizmi guximtar e real, përherë në udhën e kërkimit të shtigjeve të reja, përherë për të mirën e bashkëvëllezërve që janë nëpër Provinca e nëpër Konferenca Episkopale.

Është fjala gjithmonë për të ndjekur shembullin e Zotit, metodologjinë e tij baritore, siç na kujtoi profeti Ezekiel: shkoni në kërkimin e deles së humbur, kthejeni në grigjë, kujdesuni për të ligështuarën, kurojeni të sëmurën (khr Ez 24,16). Vetëm kështu bashkohet populli i shpërndarë”.

“Misioni i Barinjve – theksoi Papa Françesku - është për të ndihmuar grigjën që u është besuar atyre, për t’i përshkuar rrugët  e botës duke kumtuar gëzimin e Ungjillit; e jo për ndenjur të mbyllur në rrethe të ngushta, në “mikroklimat” kishtare që mund t’i sjellin sërish ditët me re dhe me mjegull”.

Në mbarim të kremtimit të lutjeve mbrëmësore, u lexua një thirrje e përbashkët e ipeshkvijve, ku mes tjerash u tha se pikërisht nga Kisha e shën Andreut e shën Gregorit al Celio në Romë, nga ky vend i shenjtë, 1400 vjet më parë, Papa Gregori e dërgoi shërbëtorin e Zotit, Agostinin, i pari Kryeipeshkëv i Kantërbërit, bashkë me shokët e tij për të kumtuar lajmin e mirë të Fjalës së Zotit, për të kumtuar të njëjtin mesazh të gëzimit të mbretërisë së tij të amshuar. E sot, nga ky vend, Zoti na kërkon të gjithëve, të nisemi udhës së bashkimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.