2016-10-04 14:49:00

Papa në Accumoli e Arquata del Tronto: “ju kam në zemër”


Rreth orës 13.00, Papa Françesku mbërriti në Accumoli, ku u prit nga kreu i Mbrojtjes Civile dhe nga komisari për rindërtimin, së bashku me kryetarin e bashkisë. Para se të mbërrinte në këtë zonë, Ati i Shenjtë u ndal në komandën e zjarrfikësve të Citta’reale, shtabi i përgjithshëm i organizimit për zonat e tërmetit. Në Accumoli, Papa përshëndeti shumë njerëz dhe u lut para kishës së Shën Françeskut, shkatërruar nga tërmeti.

         Që këndej, shkoi në Pescara del Tronto, duke u ndalur tri herë gjatë rrugës për të përshëndetur njerëzit e, pastaj, në Arquata del Tronto, i shoqëruar nga autoritetet civile dhe nga ipeshkvi i Ascoli Piceno-s, imzot Giovanni D’Ercole. “Desha t’ju qëndroj afër në këtë çast dhe t’ju them se ju mbaj në zemër – u tha Papa të pranishmëve. E di, e njoh vuajtjen dhe ankthin tuaj, di edhe për të vdekurit e jam me ju. Prandaj desha të vij sot këtu”. Edhe me banorët e Arquata del Tronto-s, Papa Françesku u lut për të dashurit e tyre, që tashmë janë në qiell pranë Hyjit. “Guxim – i nxiti – gjithnjë ecni përpara. Do të vijnë kohë të tjera. Unë jam pranë jush, jam me ju”. Edhe në këtë vend, Ati i Shenjtë përshëndeti rreth 100 vetë dhe vizitoi shkollën e ndërtuar në tenda, duke u dhuruar një Rruzare të gjithë fëmijëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.