2016-10-04 12:19:00

Papa Françesku në mesin e të dëmtuarve nga tërmeti në Amatrice: sjell shpresë e lutje


Sot në mëngjes, në festën e Shën Françeskut të Asizit, ndoshta jo rastësisht, vizita e papritur e Papës Françesku në Amatrice të Italisë, për t’u takuar me popullsitë, viktima të tërmetit të 24 gushtit. Ati i Shenjtë vizitoi shkollën dhe më pas, iu afrua zonës së mbyllur të qytezës, të ashtuquajturës “zonë e kuqe”. “Dua një fotografi me ta, sepse pikërisht këta i shpëtojnë njerëzit”, kërkoi Papa të fotografohej me zjarrfikësit, para se të shkonte edhe në Arquata del Tronto e në Accumoli, dy fshatra të tjera, që u bënë gati rrafsh me tokën nga tërmeti.

         Françesku mbërriti në orën 9.10 me një makinë Golf, me xhama të errta, pasi pati thënë se kjo vizitë do të ishte private dhe e rezervuar, për të mos shqetësuar askënd. I shoqëruar nga ipeshkvi i Rietit, imzot Domenico Pompili, hyri në shkollën e përkohshme, një konteiner i kuq, ku fëmijët e fillores i kënduan një këngë dhe i dhuruan kujtime nga drama e tërmetit, sidomos vizatime, por edhe një shtatore të vogël të vetë Atit të Shenjtë. Më pas, jashtë shkollës, i rrethuar nga njerëzit, fjalët e inkurajimit të Papës Françesku:

         “Mendova, në ditët e para të këtyre dhimbjeve të shumta, se vizita ime, ndoshta, do të ishte më shumë një problem se sa një ndihmë e një përshëndetje, prandaj nuk desha t’ju bezdis. Për këtë lashë të kalojë pak kohë, sa të sistemoheshin disa gjëra, si për shembull, shkolla. Por, që nga çasti i parë, ndjeva se duhej të vija tek ju! Thjesht për t’ju thënë se jam pranë jush, asgjë më tepër e, se lutem, lutem për ju! Afërsi dhe lutje, kjo është oferta ime për ju. Zoti ju bekoftë të gjithëve, Zoja ju mbroftë në këtë çast trishtimi, dhimbjeje e sprove”.

         E pas bekimit, Papa iu lut Zojës së bashku me të pranishmit:

         “Të ecim përpara, ka gjithnjë një të ardhme. Shumë nga të dashurit tanë na kanë lënë, kanë mbetur këtu, nën rrënoja. T’i lutemi Zojës për ta, të gjithë së bashku. [Thuhet “Falemi Mri”…] Të shohim gjithnjë përpara. Përpara, me guxim, e ndihmojeni njëri-tjetrin. Ecet më mirë së bashku, të vetëm nuk shkohet përpara”.

         Papa përqafoi dhe përshëndeti njerëzit e shumtë, mësueset, profesorët dhe nxënësit, kryetarin e bashkisë, forcat e rendit, zjarrfikësit. “Shpresë” qe fjala, që u mbeti më tepër në zemër të gjithëve. Më pas, në zonën e kuqe të Amatrices, efekti i pamjes së rrënojave, në mesin e një heshtjeje të madhe. Ati i Shenjtë iu afrua aq sa mundi ndërtesave të rrafshuara me tokën, nga të cilat akoma dallohen dyshekë, ndonjë kënd dollapi, ndonjë objekt tjetër i jetës së përditshme. E shoqëroi përgjegjësi i zjarrfikësve për komunikimin në emergjencë, Luca Cari, të cilin e përshëndeti me fjalët: “Lutem që ju të mos keni nevojë të punoni, puna juaj është e dhimbshme. Ju falenderoj për gjithçka bëni”. Pastaj, Papa Françesku u zhvendos në zonat e tjera të tërmetit në Marche.

         Dëshirën për të dhënë një shenjë, sado të vogël, të afërsisë e të pjesëmarrjes në dhimbjen e njerëzve të dëmtuar nga tërmeti, Ati i Shenjtë e pati deklaruar që në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të 28 gushtit, katër ditë pas tërmetit: “Sapo të jetë e mundur – pati thënë – shpresoj edhe unë të vij për t’ju takuar e për t’ju sjellë personalisht ngushëllimin e fesë, përqafimin dhe mbështetjen e shpresës së krishterë”. Edhe të dielën, gjatë konferencës për shtyp, në udhëtimin me avion nga Azerbajxhani në Romë, Papa pati thënë se këtë vizitë dëshironte ta bënte privatisht, si meshtar, si ipeshkëv e si Papë, por vetëm, pa shpurën e shoqëruesve. E kështu bëri, duke qëndruar edhe një herë, pranë njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.